Shqiptarë të Kosovës, vërshoni në Tiranë!

Shqiptarë të Kosovës, vërshoni në Tiranë!

13:52, 22/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Ilir Babaramo 

U zbulua armiku i fundit. Eshtë Albin Kurti. Disa dhjetëra shqiptarë të Kosovës që morën pjesë në protestën më madhështore të tre dekadave të fundit në Shqipëri kanë shqetësuar pa masë Edi Ramën. U gjet koka e turkut. Komanda u dha dhe 24 orët e fundit Rama,  pasuar nga gjithë sharësit e tij me pagesë, nisi një fushatë deziformimi duke u rrekur të na mbushë mendjen se nuk ka kurrfarë zemërimi të një populli të plaçkitur në mënyrë sistemike e së fundi të tërhequr zvarrë rranishteve të Nartës.

Jo dhe jo. Kurrë jo. Gjithnjë sipas tij, kjo që po ndodh është një gjellë e keqe,  gatuar në kuzhinat antishqiptare, ku shefat janë herë antisemitë, herë grekë e serbë,  herë gardistë të Iranit herë antitrampistë apo sorosistë. Dje u servir ëmbëlsira. Eshtë Vetëvendosje, qershia mbi tortë , Albin Kurti. Paranojë kaq perfide dhe infantile në të njëjtën kohë nuk kemi parë as tek Enver Hoxha në muzgun e jetës së tij.

Shqiptarë të Kosovës, jeni  dhe  në ditët që vijnë do të jeni akoma më shumë  nën një bombardim të frikshëm propagande. Në rast se dyzoheni duke I bërë vetes  pyetjen : Përse duhet të protestoj kundër një qeverie të një shteti tjetër ku nuk kam të drejtë vote atëherë jeni duke gabuar. Keni të drejtën legjitime të bashkëthemeluesve të Shqipërisë, Piemontit shqiptar. Shumëkujt kjo mund ti duket folklorike. Atëhere le të jemi më pragmatistë. Ejani në Tiranë për të mbrojtur Kosovën !

Gjatë pesë viteve të fundit, besoj se mbani mend se Kosova dhe qeveria e saj kanë qenë nën sulm të përhershëm nga Edi Rama. Kujtoni Ballkanin e hapur,  projektin që e kthen hapësirën shqiptare në një koloni ekonomike të Serbisë. Besoj i mbani mend deklaratat e Ramës drejtuar Evropës për të  mirëkuptuar Serbinë dhe për të mos I vendosur sanksione. Dhe si për ironi të fatit ishte Rama i pari që I vendosi sanksione Kosovës duke anuluar mbledhjen e përbashkët të dy qeverive. Besoj e mbani mend si shpalli një projekt për themelimin e Zajednicës, projekt tashmë i harruar dhe nuk dihet kush fshiu së fundi b…me atë.

Shpresoj nuk keni harruar që e deklaroi  Veriun “tokë të askujt” si shkumonte në konferenca të përditshme shtypi kundër shtrirjes së sovranitetit në krejt territorin e Kosovës. Madje në njërën prej tyre thirri në ndihmë jugosllavin e fundit të të gjithë Ballkanit, Abazovicin. E mbani mend zgërdhitjen e këtij të fundit kur kryeministri shqiptar e krahasoi Lulëzim Hetemin me Oso Kukën me një ton përbuzës për të dy. Vetëm tre vjet kanë kaluar nga ajo stuhi propagandistike. Besoj se Banjska dhe gjendja aktuale e Veriut nuk do shumë mend për ta kuptuar se kujt koha i dha të drejtë.

Mbi të gjitha, nuk duhet ta keni harruar se Edi Rama bëri gjithcka për të çuar përpara projektin e ndarjes së Kosovës “si një shans që vjen vetëm një herë në 100 vjet”. Me një këmbëngulje të frikshme vazhdon të gabojë në Kosovë. Edi Rama shpesh thotë se gjyshja e tij vallaha paska patur një shprehje : të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh është djallëzore. ( Në rast se rri dhe ca vite të tjera në pushtet nuk do ishte çudi të linte kuptohej se ajo është edhe autorja e Dhjetë Urdhëresave). Këmbëngulja e tij për të bërë dëme në Kosovë është e pashpegueshme. Ndoshta në rastin më të mirë shkak mund të jetë deliri i madhështisë, i atij që arrin të paaritshmen, pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve. Ska rëndësi çmimi. Mjafton kreshnikut ti këndohet eposi.

Një makinë infernale propagande funksionon në mënyrë të frikshme. Kaq e pacipë është  sa nëse i beson ato që thuhen të duket se Vlora Citaku dhe Urani i Bon Vivant lanë leshtë për atdhe duke mbrojtur UÇK-në nga sulmet e Shqipe Selimit  dhe Ejup Maqedoncit. Prisni sot në mbrëmje që shumica e emisioneve në Prishtinë të dalë të mbrojë Edi Ramën. Shumë analistë me pagesë do ta lënë pas dore për ca dite tezën e tyre të fundit, tezën e bashkimit të votave me Listën serbe për të rrëzuar Albin Kurtin.

Sahanlëpirësit e Ramës shqetësohen nga ata dhjetëra shqiptarë të Kosovës që erdhën të protestojnë në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Nuk shqetësohen që përnatë shqiptarët duhet të dëgjojnë ca jashtëqitje të Kosovës. Duhet të durojnë belbëzimet absurde e megalomane të atij që në Prishtinë njihet si tre breza udbash,  apo të një tjetri që ka llogari të pambyllura me UÇK-në , hesape që filluan me mbyllje në bunar si bashkëpunëtor të pushtuesit dhe përfunduan  në ortakëri biznesi me rojet e Urës.

Shqiptarë të Kosovës, Shqipëria është e hapur për të gjithë. Ka qenë e hapur deri dhe për mashtrues si Behgjeti. Ka qënë e hapur dhe për oligarkët që u bënë miliarderë me miellin dhe produkte të tjera serbe kur Kosova ende nuk kishte ngritur kulmet e shtëpive të djegura. Madje Rama po u jep vec monopoleve të tjera dhe monopolin e medias shqiptare. Kur ata paskan të drejtë të vijnë të bëjnë biznes në Shqipëri përse ju nuk paskeni të drejtë të mbroni vendin tuaj.

Mos u kompleksoni. Nuk do protestoni kundër një qeverie legjitimë të zgjedhur me votë. Arrestimet e fundit të SPAK besoj se ju kanë hapur sytë se Shqipëria po kthehet në një narkoshtet. Me paratë e drogës nuk është asfiksuar vetëm ekonomia e ndershme. Ato janë përdorur dhe për të mbajtur në këmbë këtë rregjim të korruptuar. Paratë e korrupsionit janë përdorur dhe për lobim ndërkombëtar për të shkatërruar opozitarizmin në Shqipëri. Ju kujtohet skandali Mekgonigal. Çfarë ironie! 30 vjet më parë, emigrantët e e kombit më të varfër në Evropë mblidhnin centët duke kursyer kafshatën e fëmijëve për të lobuar në kancelaritë më të mëdha për Kosovën. Sot mblidhen vagona me para të korrupsionit, të narkotrafikut, të oligarkëve për të shkatërruar cilindo që mund ti bëjë hije pushtetit të Ramës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco