Protestat që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së Edi Ramës vijojnë të përshkallëzohen dhe të marrin gjithnjë e më shumë vëmendje. Mediat ndërkombëtare raportojnë se zhvillimet në Shqipëri po rrisin presionin ndaj kryeministrit, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Sipas analizave të ORF dhe Süddeutsche Zeitung, këto protesta po ndikojnë në imazhin e tij dhe po ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën e qeverisjes dhe projektet e debatueshme në zonat bregdetare.
Protestat e vazhdueshme kundër qeverisë shqiptare po marrin jehonë të gjerë në mediat ndërkombëtare, të cilat raportojnë për rritjen e presionit ndaj kryeministrit Edi Rama. Televizioni publik austriak ORF dhe gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” i kanë kushtuar vëmendje të veçantë demonstratave që kulmuan me protestën masive të së shtunës në Tiranë.
Sipas ORF, protestat po shndërrohen në një lëvizje më të gjerë qytetare kundër mënyrës së qeverisjes. Ekspertë të intervistuar nga media austriake vlerësojnë se demonstratat po sfidojnë imazhin që Rama ka ndërtuar prej vitesh në qarqet perëndimore dhe po nxjerrin në pah kritikat për përqendrimin e pushtetit dhe mungesën e reformave të thella.
Ndërkohë, “Süddeutsche Zeitung” shkruan se presioni ndaj qeverisë shqiptare po rritet edhe nga institucionet evropiane. Parlamenti Evropian ka kërkuar pezullimin e projekteve ndërtimore në zonat e mbrojtura natyrore, ndërsa protestat janë fokusuar kryesisht te zhvillimet e planifikuara në zonën e Lagunës së Nartës dhe ishullit të Sazanit.
Media gjermane raporton se protestat, të njohura edhe si “Revolucioni i Flamingove”, kanë mbledhur mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria, të cilët kërkojnë më shumë transparencë dhe kundërshtojnë projektet që, sipas tyre, rrezikojnë mjedisin. Në të njëjtën kohë, hetimet e Prokurorisë së Posaçme mbi transaksione të dyshuara financiare në zonat bregdetare kanë shtuar interesin publik dhe debatet politike rreth këtyre projekteve.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, zhvillimet e fundit po shihen si një provë e rëndësishme për qeverinë shqiptare dhe për marrëdhëniet e saj me partnerët evropianë.
© SYRI.net