Shqipëria bie në mesataren globale, duke shënuar gjithashtu përkeqësimin më të madh në rajon për nivelin e korrupsionit. Raporti i fundit i Transparency International e rendit Shqipërinë në vendin e 91-të, duke shënuar një rënie me 11 vende në krahasim me vitin 2024, ku Shqipëria renditej në vendin e 80-të në botë për nivelin e korrupsionit. Këto të dhëna rrëzojnë propagandën e qeverisë dhe statistikat e drejtësisë për luftën kundër korrupsionit gjatë viteve të fundit.
Transparency International ka dhënë alarmin për nivelin e korrupsionit në Shqipëri, i cili gjatë vitit 2025 ka ardhur duke u përkeqësuar. Në raportin vjetor të matjes së korrupsionit në nivel global, Shqipëria paraqitet nën mesataren globale, duke u vlerësuar me 39 pikë nga 42 që ishte në vitin 2024. Thënë ndryshe, Shqipëria në vitin 2025 është renditur në vendin e 91, duke humbur plot 11 vende në krahasim me vitin 2024, ku renditej në vendin e 80-të. Sipas këtyre të dhënave, Shqipëria shënon përkeqësimin më të madh në rajon këtë vit. Këto të dhëna rrëzojnë propagandën e qeverisë dhe statistikat e drejtësisë për luftën kundër korrupsionit gjatë viteve të fundit.
Indeksi vjetor tregon se numri i vendeve që marrin mbi 80 pikë është tkurrur nga 12 një dekadë më parë në vetëm pesë këtë vit. CPI rendit 182 vende dhe territore sipas niveleve të perceptuara të korrupsionit në sektorin publik, në një shkallë nga zero (shumë të korruptuara) në 100 (shumë të pastra). Mesatarja globale qëndron në 42 pikë nga 100, niveli më i ulët në më shumë se një dekadë, duke sinjalizuar një trend në rënie. Pra, sipas këtyre të dhënave, Shqipëria ka rënë nën mesataren globale të nivelit të korrupsionit, duke e klasifikuar atë në një prej vendeve me nivelin më të lartë të korrupsionit edhe në rang global.
Në raportin e vitit 2025, Mali i Zi vlerësohet me 46 pikë, pa ndryshim nga viti 2024; Kosova me 43 pikë, një pikë më pak se një vit më parë; Serbia me 33 pikë (-2 pikë) dhe Maqedonia e Veriut me 40 pikë (pa ndryshim). Për të tetin vit radhazi, Danimarka merr rezultatin më të lartë në indeks (89), e ndjekur nga afër nga Finlanda (88) dhe Singapori (84). Vendet me rezultatet më të ulëta kanë në shumicë shoqëri civile të shtypura rëndë dhe nivele të larta paqëndrueshmërie, si Sudani i Jugut (9), Somalia (9) dhe Venezuela (10).
© SYRI.net