I ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV me Flavio Qarri, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Nikola Kedhi ka deklaruar se arrestimi i Nicolas Maduro nuk kishte të bënte me një akt lufte apo shkelje sovraniteti, por me ekzekutimin e një urdhri arresti ndërkombëtar ndaj liderit të kartelit “Los Soles”.
Sipas Kedhit, Maduro nuk njihet si president legjitim nga asnjë vend i botës së lirë dhe veprimet e Shteteve të Bashkuara janë udhëhequr nga interesi i tyre kombëtar dhe siguria e hemisferës perëndimore, një parim që, siç theksoi ai, ndjeket nga të gjitha shtetet në çdo kohë.
Nikola Kedhi: Maduro nuk ishte presidenti legjitim i Venezuelës. Nuk njihet si president legjitim as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as nga Kanadaja, as nga vendet e Bashkimit Europian, as nga Australia, nga asnjë vend i botës së lirë. Ndaj nuk u arrestua presidenti i Venezuelës, u arrestua lideri i kartelit Los Soles, i cili kishte marrë peng Venezuelën dhe sundonte mbi Venezuelën, të paktën këtë një vit. Ai sundonte që nga 2013-ta dhe më përpara Hugo Chavezi. Po të paktën këtë vitin e fundit sundonte si lider i një karteli droge, i cili e cënonte sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë hemisferës perëndimore.
Në këtë aspekt kishte një urdhër arresti prej 2020-ës për liderin e këtij karteli dhe ky urdhër arresti u ekzekutua nga forcat amerikane, nga autoritetet amerikane, dhe në mbrojtje të personave që çonin këtë mandat arresti, ishin marrë masat me forcat Delta apo gjithë të tjerët. Dhe ndaj ky aksion nuk kërkonte dhe një leje nga kongresi, nga dy dhomat e kongresit, sepse nuk ishte asnjë akt lufte, as një pushtim i Venezuelës, ishte thjesht përmbushja e mandatit të arrestit që ekzistonte për liderin e këtij karteli.
Kjo përsa i përket pjesës së procedurave. Nga ana tjetër, ne duhet të kemi parasysh një fakt mendoj unë shumë të rëndësishëm, edhe në këtë debatin sovranizëm, jo-sovranizëm e të tjerë. Shtetet qeverisen ose veprojnë sipas interesave të tyre kombëtare. Kjo ka ndodhur gjithmonë dhe kjo kam përshtypjen unë do vazhdojë të ndodhi përherë. Nuk ka asnjë shtet që të veprojë, të paktën një shtet normal, që të veprojë kundër interesave të tij. Në këtë aspekt, ne e shikojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kemi parë përgjatë gjithë historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por e shikojmë edhe në raste të ndryshme dhe nga Emmanuel Macron, që mund të jetë, nuk e di, internacionalisti më i madh për shembull në Bashkimin Europian, në kohën e pandemisë ishte i pari që mbylli kufijtë dhe tha burimet natyrore të, dhe, dhe njerëzore të Francës janë për francezët.
© SYRI.net