GJKKO pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe urdhëroi bllokimin e pasaportës.
Vendimi është ekzekutuar sot ndërsa në mesditë, Balluku është parë të hyjë në kryeministri. Ka qenë ora 12:24 minuta kur Balluku ka hyrë në godinën e shefit të saj.
Po a ekziston mundësia që Rama të mos zbatojë vendimin e GJKKO-së?
Gazetari i Syri.net Elton Qyno në një intervistë për SYRI TV jep këtë përgjigje
“Nuk ka asnjë shans që kryeministri të ndalojë vendimin e gjykatës për të mos e ekzekutuar, pasi nëse do e bënte do të kishte ai vepër penale.
Pra ai duhet të marrë vendim shkarkim apo pezullim të detyrës. Nëse nuk e bën e bën vendimi i gjykatës që duhet të ekzekutohet nga oficerët gjyqësorë. E vetmja mundësi është të ankimojë në Apelin e GJKKO-së por pasi të jetë pezulluar”
Për dy bashkëpunëtorët kryesorë të Ballukut, Drejtori i KESH, Erald Elezi, dhe kreu aktual i ARRSH-së Gentian Gjyli është marrë masa ‘arrest shtëpie’.
Qyno thotë se ky është vetëm hapi i parë ndërsa paralajmëron se dosje të tjera e presin numrin dy të qeverisë Rama.
Belinda Balluku iu bashkua kabinetit të Edi Ramës në vitin 2019 si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe prej më shumë se pesë vitesh drejton portofolin më të madh qeveritar.
Ajo është gjithashtu zyrtarja më e lartë që përballet aktualisht me akuza penale nga SPAK, pas një serie bashkëpunëtorësh të ngushtë të kryeministrit që kanë humbur postet e tyre për shkak të hetimeve, përfshirë Arben Ahmetajn, ish-zv.kryeministër, Erion Veliajn, kryebashkiak i Tiranës, Ilir Beqajn, ish-ministër i Shëndetësisë, dhe më herët Saimir Tahirin, ish-ministër i Brendshëm.
© SYRI.net