'Kuotat e Tetorit Rozë' - Nga Dojna Mema

22:26, 31/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Tetori është muaji i fjongove rozë.

Muaji i fushatave për kujdesin ndaj grave,

i pankartave me slogane të zgjuara,

i fotove domethënëse dhe intervistave plot pathos e mesazhe.

Por... unë kam një pyetje.

Pse kemi nevojë për një Tetor Rozë?

Sepse 11 muaj të tjerë, gratë janë gri.

Sepse çdo vit, Tetori na kujton që kujdesi ndaj gruas është event, jo kulturë.

Në fakt, jetojmë në një vend ku flitet për barazi gjinore

me të njëjtin entuziazëm si për korrupsionin.

Fjalë shumë, ndryshim - pak.

Ne kemi kuota gjinore në politikë,

që në letër duken si fitore,

por në praktikë…

janë thjesht aksesore rozë për ta bërë listën e kandidatëve më fotogjenike.

Sa prej grave që futen në politikë janë aty për të plotësuar kuotën e jo prej meritës?!

Sa prej tyre zgjidhen për heshtjen e jo për zërin?!

Njohim shumë raste ku pas një deputeteje që del në ekran,

ka një burrë që e ka futur në listë,

një kryetar që e ka sponsorizuar,

një pushtet që e përdor si dekor,

për të treguar që “ja, edhe ne kemi gra!”.

Por sa fuqi vendimmarrëse i lënë asaj në të vërtetë?

Kështu që, po — hyrja në politikë është e hapur për gratë…

por me disa kushte:

duhet të mendosh si mashkull,

të votosh si mashkull,

të mos jesh shumë feministe,

të mos bësh zhurmë,

dhe të mos harrosh kujt ia ke borxh vendin.

Ndërkohë, gratë e tjera — ato që nuk kanë kuotë, as podium —

vazhdojnë të mos kenë as mundësi për kujdes shëndetësor bazik.

Të kenë mbi supe aq halle sa të harrojnë veten.

Të mos kenë kohë për një mamografi.

Të mos kenë zë për të folur.

Në gjithë këtë teatër politik,

Në gjithë këto vite

i vetmi propozim serioz në për lehtësim gjinor

erdhi jo nga një grua,

por nga një burrë

që tha se ditët e menstruacioneve duhen trajtuar si ditë pushimi,

dhe paketën higjeno-sanitare të grave dhe vajzave pikërisht për ciklin

ta përjashtojmë nga TVSH-ja.

E tallën. E kthyen në meme.

sepse ne nuk e kuptojmë që barazia gjinore

nuk vjen nga kuotat, por nga empatia.

Po, pra, po —Tetori Rozë është i nevojshëm.

Jo për gratë.

Por për burrat që kujtojnë se barazia arrihet me ngjyra,

jo me ndryshim mentaliteti.

Dhe për gratë, që në këtë muaj gjejnë rastin të veprojnë si gra

pa rënë në “sy për keq”.

Jemi akoma në tetor

dhe do shohim edhe sot fjongo rozë nëpër ekrane.

Por, një shoqëri që ka nevojë për “kuota” për të përfshirë gjysmën e saj,

ka nevojë për shumë më tepër se një fjongo rozë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco