Demenca antikushtetuese e përsëritur e Begajt!!

Demenca antikushtetuese e përsëritur e Begajt!!

13:18, 12/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Petrit Vasili

Presidenti Begaj është identifikuar tashmë si një shkelës recidivist i Kushtetutës, por në rastin e mandateve të Gjykatës Kushtetuese ai ka arritur vërtet kulmin.
Letra e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese është ilustrimi më flagrant i kësaj antikushtetutshmërie pa shërim të tij.

SË PARI:

Në letrën e tij ai citon si bazë Kushtetutën dhe Ligjin e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që as Ligji dhe as Kushtetuta nuk e mbështesin këtë kërkesë abuzive dhe manipuluese.

Neni 86 pika 4 i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese është asgjësues:
“NENI 86
4. Përtëritja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2022
do të bëhet sipas skemës së parashikuar më poshtë:”

Konkluzion:
➖️➖️➖️➖️➖️
Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 125 pika 6 thotë se “përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet me 1/3 e saj, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.”
Pra, i vetmi ligj që përcakton procedurën e ripërtëritjes është Ligji organik për Gjykatën Kushtetuese (Ligji nr. 8577 i vitit 2000), i ndryshuar me Ligjin nr. 99/2016 të vitit 2016.

Jemi në vitin 2025 dhe viti 2022, i përcaktuar si afat me formulën e rotacionit, na ka lënë shëndet me kohë e me vakt.
Nëse kishte merak rotacionin Begaj, që tre vjet më parë, pra që në vitin 2022, duhet t’i shkruante institucionit ligjvënës — Kuvendit të Shqipërisë — i cili, nëse e gjykon të arsyeshme, ka të drejtën të bëjë ndryshime në ligj.

SË DYTI:

Nëse Begaj kishte merak për interpretime, kishte plot dy të tilla shterruese dhe ezauruese totalisht, respektivisht interpretimin e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2011 dhe të Komisionit të Venecias në vitin 2020:

Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr. 24 të vitit 2011, që mban edhe firmën e Sadushit, thotë:

“31.... Garancia e kohëzgjatjes dhe paprekshmërisë së mandatit e mbron gjyqtarin nga ndikimet e forcave politike që mund të vijnë në pushtet. Vetëm një gjykatë e pavarur, të cilës i garantohet paprekshmëria e mandatit të anëtarëve të saj, mund të konsiderohet si një gjykatë që administron drejtësinë kushtetuese, në përputhje me parimet kushtetuese. Edhe pse mandati i gjyqtarit kushtetues ka kuptimin e një mandati të dhënë (jo të fituar nëpërmjet votës së zgjedhësve aktivë), parimi i pavarësisë nënkupton, gjithashtu, se gjyqtari, në momentin e emërimit, duhet të dijë kohëzgjatjen e këtij mandati, bazuar në rregullimet ligjore përkatëse, dhe kjo kohëzgjatje nuk mund të lihet në diskrecion të organeve që e kanë emëruar/zgjedhur atë.”

Komisioni i Venecias, në Opinionin nr. 978/2020 CDL-AD(2020)010 “On the appointment of judges to the Constitutional Court”, thotë në paragrafin 107 si vijon:
“Modeli kushtetues i miratuar në vitin 2016 është shumë kompleks dhe, në planin afatgjatë, do të rekomandonte thjeshtimin e tij, në radhë të parë duke hequr rregullin e renditjes. Kuotat e tre organeve emëruese mund të ruhen duke ia caktuar automatikisht rinovimin e një mandati të njëjtit autoritet që kishte emëruar gjyqtarin në largim.”


"Së dyti, duhet të hiqen vitet fikse të fillimit dhe mbarimit të mandateve nëntëvjeçare. Gjyqtarët kushtetues duhet të gëzojnë gjithmonë një mandat të plotë nëntëvjeçar, edhe nëse janë zgjedhur me njëfarë vonese ose nëse marrin një mandat që është ndërprerë para kohe; ky ndryshim nuk duhet të krijojë probleme pasi të hiqet sekuenca. Ky ndryshim do ta bënte pozicionin e gjyqtarit kushtetues më tërheqës për kandidatët e kualifikuar, por edhe më kuptimplotë.” (paragrafi 107).

Konkluzion:
Nëse kishte merak e dëshirë, Presidenti do t’i kishte lexuar me kohë e me vakt këto opinione kaq shterruese dhe nuk do të kishte marrë guximin të shkruante një letër abuzive dhe pa asnjë kuptim kushtetues e ligjor, duke shpërdoruar hapur institucionin që përfaqëson.

Gjykata Kushtetuese ka abuzuar me atributet e saj duke thirrur një mbledhje më datë 16 tetor, bazuar në një letër të paligjshme të Presidentit të Republikës — letër që duhej refuzuar kategorikisht për të mos bërë asnjë ortakëri me antiligjin.

Por me këtë rast, Gjykata Kushtetuese ka edhe një mundësi për t’i dhënë një përgjigje të fortë e dinjitoze kësaj tentative për rrëmbimin e mandateve të saj, duke dhënë me transparencë të plotë, në një seancë të hapur publike, mesazhin e tolerancës zero për këdo që shpërdor karrigen zyrtare për interesat e veta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco