Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit shkaktoi debate dhe tensione të forta në Kuvend. Opozita kërkoi dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Koçiu, duke e akuzuar se gënjeu kur tha se Policia e Shtetit nuk ka lidhje me mbrojtjen e gjykatave. Lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se gjyqtarin e vrau shteti, pasi e kishte lënë pa asnjë mbrojtje, ndërsa mazhoranca bllokoi sërish debatin parlamentar duke kaluar në proces votimi, pa lejuar diskutimet.
Nga Syri TV
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit u kthye në kryefjalë të debateve në Kuvend, ndërsa opozita kërkoi dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Koçiu.
Seanca plenare u tensionua në atë që opozita e cilësoi “kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, duke i kërkuar qeverisë të mbajë përgjegjësi për ngjarjen e rëndë.
Kreu i Grupit Parlamentar Demokrat, Gazment Bardhi, kërkoi shpjegime nga qeveria se përse refuzoi të vendoste mbrojtje policore në gjykata, pas kërkesës së Këshillit të Lartë Gjyqësor.
"Seanca sot duhet të niste dorëheqjen e Ministren e Brendshme, e paimagjinueshme që një gjyqtar të vritet në sallën e gjyqit. E paimagjinueshme që ministrja e Brendshme të gënjejë që policia e shtetit nuk ka detyrime që të garantojë sigurinë në institucionet e drejtësisë" tha Bardhi.
Fjalën e mori ministri i Drejtësisë, Besfor Lamallari, i cili në vend që të jepte shpjegime e të mbante përgjegjësi, zgjodhi të sulmonte opozitën. Demokratët kërkuan edhe dorëheqjen e tij.
“Të bësh politikë me vrasjen dhe me një rast tragji turp tjuvijë. Kini kujdes kur bëni kapital politik me gjyqtarë e prokurorë, tha Lamallari.
“Turp që si zv.ministër i Brendshëm nuk i je përgjigjur thirrjes për ndihmë që të ka bërë KLGJ”replikoi Zhupa.
Deklaratat e ministrit rritën edhe më shumë tensionet në sallë, ndërsa kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, me urdhër të kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ndërpreu seancën për 5 minuta.
Nga oborri i Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se vrasja e gjyqtarit është “shtetërore”, pasi qeveria e la pa asnjë mbrojtje në sallën e gjyqit.
“Narkoqeveria dje, në vend se të përcaktonte masa për mbrojtjen e gjykatësve, dublikoi masat për mbrojtjen e skapistëve. E vrau shteti në kuptimin që ai ishte totalisht pa asnjë mbrojtje sikur të ishte në kafene.” tha Berisha.
Por 5 minutat e pushimit nuk mjaftuan për të qetësuar situatën në sallën e Kuvendit. Me rifillimin e seancës, lideri i opozitës, Sali Berisha, kërkoi përgjegjësi nga ministrja e Brendshme dhe akuzoi Partinë Socialiste për reformën në drejtësi.
"Për sa i përket ministres, ajo ka bërë mashtrim publik dhe askush nuk mund të mbrojë një mashtruese publike të denoncuar nga KLGJ-ja. Askush nuk mund të mbrojë një mashtruese publike të denoncuar nga KLGJ-ja. Është për atë drejtësia, e cila sot për mungesë e vendimeve ka krijuar qindra e qindra raste vetëgjyqësie" tha Berisha.
Ministrja Albana Koçiu, që kishte heshtur deri në atë moment, mori fjalën për t’u justifikuar, por deklaratat e saj sollën përplasje me deputetët demokratë.
nëse do kishte përgjegjësi një polic i shtetit sot do të ishte në arrest.Përgjegjëse për vrasjen nuk jam unë, jeni ju, nga mëngjesi në darkë me këtë gjuhë që përdorni”, iu tha Koçiu.
”E njëjta ministre refuzon të mbajë përgjegjësi për vrasjen e një gjyqtari në sallë të gjyqit e padëgjuar në botë” tha deputeti i PD-së,Belind Këlliçi.
Për të shmangur debatin, me urdhër të Taulant Ballës, kryeparlamentari Niko Peleshi kaloi me urgjencë në procesin e votimit, duke mbyllur seancën.
Pas dy orësh nga momenti kur Kuvendi nisi me mbajtjen e një minute heshtje në kujtim të Astrit Kalasë, gjyqtarit që u vra në sallën e gjyqit, mazhoranca mbylli seancën plenare, duke dashur me çdo kusht t’i vendosë kapak ngjarjes që tronditi opinionin publik.
© SYRI.net