Kryeministri Edi Rama ka pranuar indirekt dështimin e sezonit turistik për këtë vit. Por teksa shifrat rekord të vitit 2024 i personalizonte si sukses të qeverisë së tij, për dështimin e këtij sezoni Kryeministri fajësoi bizneset por edhe vet pushuesit. Gjatë një takimi me kryetarët e bashkive, Rama paralajmëroi se Plazhet e Ksamilit dhe Dhërmiut nuk do t`u jepen më privatëve. Gjithashtu, Kryeministri pranoi edhe masakrën e betonit në plazhet e vendit, duke thën se qeveria do t`i rikthehet mbjelljes së pishave.
Nga SYRI TV
“Them se nuk është absolutisht marrëzi, të mendosh duke parë si ka filluar këtë vit që shifra e 20 milionë turistëve do të arrihet më përpara dhe në 2030 kërkesa mund të arrijë në 30 milion” deklaroi Rama më 29 prill.
Teksa një vit më parë Kryeministri Edi Rama i personalizonte shifrat dhe suksesin në Turizëm, dështimin e sezonit aktual turistik, kreu i qeverisë ia faturoi sot bizneseve dhe pushuesve.
Gjatë një takimi me kryetarët e bashkive në vend, Rama akuzoi bizneset se larguan turistët duke rritur çmimet, ndërsa kritikave nuk i shpëtuan as vetë pushuesit që vijnë në Shqipëri, që sipas kryeministrit janë ndotësit e zonave turistike.
Në plazhet e dhunuara, kjo është fjala e duhur e Ksamilit, shqipe që mblidhen për të shijuar bukuritë dhe pushimet e që në të njëjtën kohë shkarkojnë plehrat nga makinat e tyre' tha Rama.
Teksa hoqi dorë përfundimisht nga rritja e numrit të turistëve, duke pretenduar vizitorë cilësorë, Edi Rama tregoi se i kishe vënë syrin edhe dy plazheve më të lakmuara të vendit, Dhërmiut dhe Ksamilit. Ai paralajmëroi se këto plazhe nuk do t`u jepen më bizneseve private nga viti i ardhshëm.
"Nuk mund të jetë më pre e injorantëve. Tua heqim nga dora privatëve. Nuk ka arsye më që plazhi publik i Ksamilit të jetë privat. Plazhi i Dhërmiut nuk ka nevojë të ketë subjekte që vijnë nga zona të tjera për të vendosur çadra që çmendin dynjanë me muzikën e tyre dhe hedhin ujrat e zeza në det"
Kreu i qeverisë pranoi indirekt edhe masakrën e betonizimit të plazheve dhe zonave turistike në vend, duke u shprehur se qeveria do të rikthejë mbjelljen e pishave në zonat bregdetare.
"Do të rikthejmë pishat si pjesë e një historie që nuk duhet të mbetet arsye për tu keqardhur"
Turizmi veror në vend shënoi një nga sezonet me të dobëta të viteve të fundit, për shkak të rënies drastike të numrit të vizitorëve që kaluan pushimet në plazhet e Jonit dhe Adriatikut.
© SYRI.net