Një tjetër skandal zbulohet nga dosja në ngarkim të kreut të Prokurimeve Publike Jonaid Myzyri.
Një prej të pandehurave të kësaj dosjeje, Jonida Skeja, del në përgjime ku flet për grabitjen e 5 viteve më parë në banesën e saj të 200 mijë eurove dhe të rrëmbimit të vëllait të saj. Ngjarja ka dyshime të jetë mbajtur e fshehtë, ndërsa SPAK i është drejtuar policisë së Elbasanit dhe Librazhdit për informacion. Rasti u denoncua 5 vite më parë nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili tha se grabitja me armë është mbajtur e fshehtë.
Dosja në ngarkim të Jonaid Myzyrit, drejtorit të Prokurimeve Publike që u mor i pandehur për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike, ka nxjerrë në pah një tjetër skandal. Bëhet fjalë për zyrtaren e KPP-së Jonida Skeja, e cila është gjithashtu nën akuzë. Burime pranë Prokurorisë së Posaçme konfirmuan se ndaj saj paralelisht po kryhen veprime mbi një ngjarje të vitit 2020 dhe që u denoncua nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në atë kohë. Gjatë veprimeve hetimore, për dokumentimin e abuzimeve me tenderat publikë në kuadër të procedimit penal nr. 175/1, janë zbardhur biseda që hedhin dritë mbi grabitjen e 200 mijë eurove në banesën e Jonida Skejës, dhe marrjen peng të të vëllait, për shkak se ka dyshime që autorët donin të vononin njoftimin e policisë.
Në përgjime rezulton se zyrtarja e KPP-së bisedon me nënën e saj për vjedhjen e parave në banesën e tyre dhe shfaqet e shqetësuar edhe për pengmarrjen e vëllait nga grabitësit e maskuar. “Po firmosim si delet për atë xhuxhi”, mësohet të jetë shprehur në një nga bisedat zyrtarja e KPP-së, ku ka dyshime se i referohet titullarit të saj. Prokurori i Posaçëm Elvin Gokaj i është drejtuar Policisë së Elbasanit dhe Librazhdit për t’i vënë në dispozicion informacione nëse janë bërë denoncime për këtë rast e të këtij lloji, dhe nëse po, si është vepruar. Burimet konfirmuan se prej Elbasanit kanë mbërritur materiale voluminoze lidhur me ngjarjen, duke konfirmuar kështu dyshimet e grabitjes, por nga ana tjetër nuk përjashtohet mundësia që shuma e grabitur të jetë disa herë më e madhe.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, do të publikonte në atë kohë denoncimin e një qytetari, që pretendonte se banesa e Skejës ishte grabitur dhe se ishte marrë peng vëllai i saj. Në një postim në rrjetet sociale më 30 maj të vitit 2021, Berisha denonconte vjedhjen e një shume të madhe parash në familjen Skeja nga një bandë e armatosur me uniformë policie.
“Banda e armatosur dhe me uniformë policie e drejtuar nga Suel Çela grabit në një familje miliona paund. Ajo merr peng një anëtar të familjes së grabitur. Narkopolicia mban të fshehtë ngjarjen”.
Pritet që organi hetues të gjurmojë edhe burimin e këtyre të ardhurave, ku nga njëra anë Skeja ka pretenduar se paratë i janë sjellë nga një i afërm i saj nga Greqia. Por hetimi mund të nxjerrë në dritë jo vetëm burimin e të ardhurave, por edhe reagimin apo mosreagimin e autoriteteve vendore si dhe të vetë viktimës së grabitjes ndaj kësaj ngjarjeje.
© SYRI.net