Dy fjalë të ‘mira’ për Mafian shqiptare

Dy fjalë të ‘mira’ për Mafian shqiptare

13:23, 18/03/2024
A+ Aa A-

Nga Basir Çollaku/

“Ndrangheta” është një organizatë kriminale me një buxhet vjetor, një qarkullim monetar financiar rreth 50 apo 60 miliardë euro. Por nuk mbeten pas organizatat kriminale më të mëdha në botë, si “Camorra”, “Cosa Nostra” italiane dhe amerikane e “Sinaloa”, ku janë përmendur edhe lidhje të forta shqiptare, apo “Sacra Corona Unita”, ajo japoneze “Jakuza”, rusja “Solntsevskaya Bratva”, “Triada” kineze, mafia turke, zot i heroinës në shumë dekada e mjaft të tjera, të cilat zbresin në renditje. Natyrisht në vende të tjera si në Ekuador, Venezuelë e Kolumbi, ku spikasin prej kohësh tre grupet mafioze më të famshme “Cartello di Cali”, “Cartello Medellin” dhe ai i “Norte Valle”, më tej në Brazil, në vende kryesore të prodhimit të kokainës ka zgjatime të këtyre grupeve dhe banda të tjera me fuqi kriminale e financiare të frikshme. Janë qindra miliardë euro në një vit. Infiltrimi në politikë, biznes, pushtet e ekonomi, zotërimet e pjesëmarrjet në zyra publike janë harta e veprimit, duke i dhënë emrin, Mafia. Ata përpiqen në ekstrem të shmangin luftën, duke ndarë në heshtje biznesin në nivel global e duke ngritur gjeopolitikën e tyre. Projektet e tyre nuk kanë lënë jashtë vëmendjes zgjedhjet, ku organizatat mafioze bëhen pjesë e procesit me mekanizma të dukshëm e padukshëm e në mjaft raste dhe vende janë përcaktuese të fituesve elektoralë. Kusuri, dihet. Ndarja e pushtetit politik dhe ekonomik si shpërblim.

Po Shqipëria?

E nisi pas diktaturës me kontrabandë, duke hyrë shpejt në trafikun e qenies njerëzore, për qëllime prostitucioni e gradualisht duke bërë karrierë në krim. Sot mund të themi: PO, Shqipëria ka ecur në paligjshmëri shumë më shpejt se në udhë të duhura, duke ndërtuar Mafian e saj….por jo të zbresë nga kryesimi grupet mafioze me aktivitet 100-vjeçar e më tepër. Sot, ajo ka mundur shtetin dhe bashkëjeton me të, duke vendosur fate politike, ekonomike, mediatike, publike e të drejtësisë, sipas axhendës së shartuar me pushtetin. Ajo është me bazë kryesisht në Shqipëri, e fuqizuar vitet e fundit së tepërmi në Evropë dhe SHBA, kryesisht në Amerikën Latine, duke spikatur në trafikun e kokainës, para e kthyer më pas në investime në vendin e origjinës por edhe në botë. Grupet shqiptare nuk lënë pas dore luftën mes tyre, duke bërë rrallë aleanca. Media e huaj ka një dendësi të zhdrejtë publikimesh për Mafian shqiptare, për renditjen e saj në bordin botëror të krimit. Ngjan si ushqim për pula, për të shushatur opinionin e fshehur telashet vendase shumëfish më të mëdha se ajo çka prodhon krimi shqiptar. Nga 1 në afro 3 miliardë euro në vit, janë shtuar investimet gri dhe të zeza në ekonominë shqiptare, duke bërë drogën, trafiqet, korrupsionin parajsën e burimit të investimeve. Kulla shumë katëshe në kyeqytet, me dhjetëra mijëra apartamente stok.

Sa vështirë të gjesh ku është Tirana e fshehur poshtë tyre ! Resorte në bregdet në zona të mbrojtura teorikisht e kafshuara parktikisht, lojëra fati, kompani të sipërmarrjeve të shumta, offshorë, inceneratorë, call-centera të mashtrimit financiar, bitcoin etj. Paraja kurrë nuk fle, sidomos në Shqipëri. Belgjika, Spanja, Holanda, Gjermania, Italia, Britania e Madhe, Amerika e Jugut, janë vende nga vërshojnë drejt Shqipërisë qindra e miliarda euro. Paraja nëpër banka, shumë herë më e pakët se ajo jashtë saj, e nuk mungojnë rastet, kur bankat janë element të lavatriçes së madhe. Mafia shqiptare, nëpërmjet dhunës së financave, na solli shembuj se kishte nënshkruar kontratën me qeverinë, me ministra deri të kreu i ministrave. Rama duket se mori një licencë të heshtur partnerësh dhe katër vjet e bëri hashashin shqiptar, prodhim tregun e krimit në Evropë. Dy ministra të Brendshëm, Sajmir Tahiri e Fatmir Xhafa lan detyrat, njëri në burg e tjetri në shtëpi, për histori të trafikut të drogës. Po në gjithë raportet vendase e të huaja, del se, investitorët e shumtë në ndërtim, nuk kanë një pasaportë të pastër të origjinës së parasë, më herët se të përfshiheshin në biznese të tilla.

Të tjerë, kompani me emra të mëdhenj e cv ekonomike qeveritare kryesisht, me emër pak më të kulluar janë xhepa të pastrimit më të sofistikuar të qindra milionë eurove. Kryebashkiaku i Tiranës dhe kryeministri Edi Rama, janë nënshkruesit e dhënies së lejeve për këto investime miliardash të dyshimta në Tiranë e gjithë vendin. Porti i Durrësit dhe investimet e shumta strategjike, nëse hetohen, nxjerrin jo vetëm çunat e Dubait, të Londrës, Columbisë, Ekuadorit, Brukselit e shumë vatrave të nxehta kriminale. Dosjet e shumta të “Sky Ecc”, ardhur nga ekipi hetimor franko-belgo-holandez tregojnë prej më tepër se një vit, janë një pafundësi të dhënash. Magazina e SPAK është plot. Koha do gjejë një mënyrë ndëshkimi ligjor, apo transparence edhe nëse ngec ndonjë ingranazh në Prokurori, siç dëshmon javashllëku aktual.

Emrat e përfshirë, nisin nga Edi Rama, shumë ministra, gjyqtarë, prokurorë, oficerë policie, funksionarë të drejtësisë, emra të medies, ekonomisë e biznesit. Vrasje, trafiqe, grabitje elektorale, kontroll të drejtësisë, investime janë aktiviteti i zbardhur. Dy fjalë “të mira” për Mafian shqiptare, edhe duhen thënë. Së pari, ajo nuk është kryegangsterja e kontinentit dhe planetit, por një ndër të dhunshmet e të shumtat. Ata kanë sjellë mafian ndërkombëtare në viset tona, sepse dhjetëra miliardë euro ata nuk i fitojnë dot të vetëm. Së dyti, janë dëshmi se, me aksesin në Shqipëri kanë treguar se, sa butësisht kanë bindur qeverinë e bashkitë, Edi Ramën dhe vartësit ekzekutivë qendrorë e vendorë, të rehatojnë e zbardhojnë miliarda euro. Ata flasin me keqbërjen e tyre, se kush është shefi në Tiranë…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco