VIDEO/ Berisha: Vizita e Ramës në Greqi është provokacion! Nuk shkohet pa ftuar, aq më tepër kur je njoftuar se je i paftuar

20:23, 10/05/2024
A+ Aa A-

Në fjalën e mbajtur në tubimin e përnatshëm tek rruga e Shpresës, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, e akuzoi Edi Ramën se, vizita e tij në Greqi është një provokacion.

Berisha, para qytetarëve ka përmendur edhe një fjalë të urtë shqiptare se, ‘kush shkon pa ftuar e gjen pa shtruar’, duke i kujtuar Ramës se nuk është i mirëpritur në Greqi.

Pjesë nga fjala e kryetarit të PD-së, Sali Berisha:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, Zoti u bekoftë ju qëndrestarëve të pamposhtur, misionarëve të vërtetë të lirisë, atdhetarisë, dinjitetit, shpresës dhe të ardhmes.

Të dashur miq, njeriu që me politikat që ndoqi, me vjedhjet e tmerrshme që u bëri shqiptarëve, me vrasjen e shpresës së tyre duke shndërruar krimin në votë dhe votën në krim, de facto përzuri nga Shqipëria në 10 vite mbi 1.1 milion shqiptarë, mbi 33 përqind të shqiptarëve, përgatit në një akt cinizmi ekstrem, në një akt provokimi të turpshëm, takimin me patronazhistët dhe aktivistët e tij që kanë nisur që dje vërshimin drejt Greqisë për të stimuluar një takim me diasporën shqiptare. Në moton ‘Shqipëria e viteve 2030’.

Miqtë e mi, takimin me diasporën të një politikani shqiptar nuk është e nevojshme ta komentosh.

Është gjëja më normale.

Por kur takimi organizohet si një provokacion, duhet vetëm ta dënosh.

Së pari ne jemi shqiptarë. Fqinjë mijëravjeçarë me grekët në këtë rajon.

Por ne kemi një shprehje të hershme sa vetë mikpritja jonë: kush gjen pa ftuar, e gjen pa shtruar.

Në mënyrë të përsëritur, autoritetet zyrtare greke kanë deklaruar se Edi Rama vjen i paftuar.

Natyrisht Greqia është djepi i demokracisë dhe nuk imagjinon të ndalojë tubimet apo takimet.

Por, tradita shqiptare e kërkon të mbash mend këtë parim të mikpritjes sonë.

Nuk shkohet pa ftuar, aq më tepër kur je njoftuar se je i paftuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco