Altin Dumani: Ne dëgjojmë Ramën në TV dhe nisim direkt hetimet

Altin Dumani: Ne dëgjojmë Ramën në TV dhe nisim direkt hetimet

11:39, 15/03/2024
A+ Aa A-

Kreu i SPAK, Altin Dumani, i kthyer tashmë në një vegël të mirëfilltë politike, ka filluar t’i ndiejë edhe shijen të qenit një “star” për mediat.

Gjatë ditës së sotme (e premte 15 mars) Altin Dumani ka folur në konferencën “IDM Morning Briefing” ku ka lëshuar një skup mediatik, “krimi i organizuar ka kërcënuar prokurorët”,- ka thënë kreu i SPAK. Kur dihet që krimi dhe prokurorët nuk duhet të kenë një marrëdhënie miqësore mes tyre, siç e priska zoti Dumani, në mos qoftë duke folë vetëm për ndonjë pjesë të krimit. Gjithsesi deklarata e tij ia ka arritur qëllimit, është bërë lajm “ekskluziv” në media.

“Në punën tonë si institucion kemi edhe ne problematikat tona vështirësitë tona, që lidhet së pari me paqartësinë e statusit të prokurorisë së Posaçme. Ju e dini që mandati është nëntë vjet dhe pas kësaj nuk dihet ku do vejë. Mendoj që kjo është e padrejtë sepse prokurori duhet të shkojë atje ku ka qenë, dhe nga maja e karrierës ta dërgosh Prokurorin e Posaçëm në prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm në Shkodër apo nga vijnë kolegët e mi të nderuar, shkakton mungesën e sigurisë”.

Nuk dihet qartë çfarë pune kërkon Dumani pasi të ikë nga SPAK, por nga aq sa thotë, duket që gjysmën e kohës e harxhoka duke menduar ku do punojë pasi të ikë nga aty ku është.

Ajo që ishte interesante në deklaratën e Dumanit është se ai ka deklaruar se administrata socialiste nuk lufton aspak korrupsionin, pra, asnjë institucion shtetëror nuk bën kallëzime për korrupsion në SPAK, që do të thotë se, ose nuk e besojnë institucionin që drejton Dumani, ose nuk e çajnë kokën fare për të, siç edhe u ka lënë porosi Rama (administrates) që, nëse vijnë ata të SPAK, jo vetëm mos bashkëpunoni, po as mos i qasni brenda fare… me gjasë është varianti dytë për rënien e kallëzimeve që thotë Dumani.

“Ka një rënie prej 40 për qind të kallëzimeve nga institucionet. Tatimet zero kallëzime, doganat zero. A ka apo jo korrupsion aty. Vetëm KLSH herë pas here depoziton kallëzime në Prokurorinë e Posaçme, patjetër Policia e Shtetit që po…, por detyra e çdo institucioni është të luftojë korrupsionin. Gjate 2023 kemi regjistruar kallëzime sa për tre vite se bashku, duke qenë të vëmendshëm ndaj raportimeve ne media, kryejmë verifikimet tona dhe nga denoncimet që bëjnë politikanë të ndryshëm në media kemi regjistruar rreth 67 procedime dhe ju përkasin korrupsionit, abuzimit me prokurorimet. Për të qenë të ndërgjegjshëm duhet të bëjmë të gjithë, por ne nuk jemi shkopi magjik që të kontrollojmë çdo gjë. Çdo institucion ka bilbilfryrës, audite, mekanizma dhe nuk referojnë.”

Dumani, ndërsa thotë se institucionet e shtetit nuk i çojnë kallëzime për korrupsion, pra, nuk e luftojnë korrupsionin, ai anashkalon me lehtësi të madhe kallëzimet që bën KLSH, që në fakt është i vetmi institucion që bën ende kallëzime dhe që SPAK nuk e ka marrë në konsideratë asnjëherë. Nëse vetëm kallëzimet e KLSH do hetonte Dumani, sot Shqipëria do kishte një fytyrë tjetër sa i përket luftës ndaj korrupsionit dhe nuk do nxinte ne raportet ndërkombëtare, siç aktualisht nxin.

Por Dumani e ka thënë po vetë se kë dëgjon kur nis hetimet.

Gjatë fjalës së tij, Altin Dumani, është treguar i sinqertë kur ka tregua mënyrën se si i nis hetimet për një çështje SPAK dhe nga kush i merr urdhërat:

“Ne kryejmë verifikimet tona dhe nga denoncimet që bëjnë politikanë të ndryshëm në media kemi regjistruar rreth 67 procedime dhe ju përkasin korrupsionit, abuzimit me prokurorimet...”.

Çfarë nënkupton Dumani me këtë, është e thjeshtë për t’u kuptuar nga kushdo.

I vetmi politikan që e ka urdhëruar publikisht dhe në media Dumanin të nisë hetime për kundërshtarët e tij, urdhëra që janë zbatuar me përpikmëri nga SPAK, është Edi Rama.

Edi Rama urdhëroi nga asambletë e partisë së tij dhe nëpër studio televizive Dumanin të hetojë e arrestojë Berishën dhe Dumani ka zbatuar urdhërin, siç edhe e ka pranuar sot. Derisa deri sot Altin Dumani nuk ka guxuar të thellohet në hetimin për aferën e shekullit, inceneratorët, derisa Dumani nuk guxon të thërrasë e nisë hetimet për aferën McGonigal, është e qartë se funksioni i SPAK-ut nuk ka ndonjë dallim nga çdo institucion tjetër që është degë e ekzekutivit.

“Ne e vlerësojmë median si një partner të rëndësishëm. Jemi të kujdesshëm ndaj atyre çështjeve që quhen skandale. Shumë hetime kanë marrë shkas nga mediat. Duhet të kemi parasysh që në realitetin shqiptar media nuk është imune nga krimi i organizuar. Jo edhe media si çdo gjë tjetër në këtë vend nuk ështe imune. Detyrimi i SPAK është që edhe gazetarët që mund të abuzojnë me detyrën e tyre të bëhen verifikimet. Ne e kemi detyrim ligjor për të kontribuar në mbrojtjen e sigurisë publike dhe kombëtare. Patjetër në respektim të ligjit”.

Dhe gjithë fjala e Dumanit sot mund të përmblidhet në një fjali shumë të shkurtër: ‘Rama urdhëron nga televizori, SPAK-u dëgjon dhe zbaton’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco