Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në Fushë Krujë

Afera e sterilizimit/ Beqaj i kërkon SPAK hetimin e Ogerta Manastirliut

Afera e sterilizimit/ Beqaj i kërkon SPAK hetimin e Ogerta Manastirliut

10:44, 10/01/2024
A+ Aa A-

Tolerancën e SPAK, që e la të lirë ndërsa e heton për korrupsion, Ilir Beqaj e ka shfrytëzuar për të ngritur një alibi që e lehtëson nga pesha e milionave që u keqpërdorën për aferën e sterilizimit.

Detaje të alibisë së tij, Beqaj i zbuloi në oborrin e SPAK, ku lëshoi një bombë, jehona e të cilës duhet të ketë arritur deri në Ranën e Hedhun në Shëngjin, atje ku kryeministri Edi Rama ishte në mbledhje pune, bashkë me ministrat e akomoduar në një nga hotelet e zonës.

Beqaj tha se i kërkoi prokurorëve të SPAK hetimin për sterilizmin, jo vetëm gjatë kohës kur në pushtet ishte Partia Demokratike, por dhe më vonë, pasi ai u largua si ministër dhe u zëvëndësua nga Ogerta Manastirliu.

“Besoj se hetimet janë ende shumë të ngushta është e domosdoshme që ato të shtrihen në dy pjesë. Së pari nga marsi 2011 deri në shtator 2013 për të hetuar pse dy vjet e gjysmë u mbaj ai central dhe nuk u vu në punë, por edhe tashmë janë bërë 8 vjet nga zbatimi i kontratës për të hetuar kush janë përfitimet e drejtpërdrejta të qytetarëve dhe buxhetit nga zbatimi i kësaj kontrate”, u shpreh ish-ministri ndërsa doli nga SPAK.

Mesazhi i Beqajt është i qartë: dy duar për një kokë. Ndaj për të mos patur fatin e shokëve të tjerë të partisë që sot dergjen burgjeve apo janë arratisur jashtë vendit, Ilir Beqaj ka vendosur të luajë në kundërsulm dhe të kërkojë hetimin se çfarë ndodhi me sterilizimin, edhe pasi ai u largua si Ministër i Shëndetësisë, pra në qeverinë “Rama 2”.

Beqaj është larguar si Ministër i Shëndetësisë në vitin 2017 dhe u zëvëndësua atëherë nga Ogerta Manastirliu.

Pretendimet e tij synojnë hetimin e ndryshimit të kontratës nga Ogerta Manastirliu në janar të vitit 2020, kur është shtuar numri i seteve kirurgjikale të parashikuar në kontratë, që ishin 63 mijë copë për një vit.

Asokohe Ogerta Manastirliu e justifikoi ndryshimin e kontratës me nevojën për sete të tjera mbi 63 mijë që do merreshin me 25% ulje, pasi operacionet në një vit shkonin deri në 90 mijë.

“Do të kemi një amendim i cili do të sjellë një reduktim me 25% të çmimit për të gjithë paketat instrumentare të kompleksiteteve të ndryshme, mbi një numër referencial prej 64 mijë ndërhyrjesh”, deklaroi Manastirliu në janar të vitit 2020.

Kërkesa e Ilir Beqajt në SPAK ka të bëjë pikërisht me këtë ndërhyrje në kontratë, që sipas ka ndikuar në shtimin e kostove në buxhetin e shtetit dhe për të cilat ai nuk pranon të mbajë fajësinë.

Me kërkesën për zgjerimin e hetimeve, Beqaj refuzon të shkojë drejt burgut siç bënë socialistët e tjerë ndaj kërkesa për SPAK është hetimi i qeverisë “Rama 2”.

Ogerta Manastirliu qëndroi në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë për 6 vjet dhe u larguar në shtator të vitit 2023 kur u emërua ministre e Arsimit. Ajo është një nga bashkëpunëtoret më të hershme të Edi Ramës që nga koha kur ky mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

Nëse Manastirliu do të merrej nën hetim, ashtu siç ka kërkuar Ilir Beqaj, ajo do të ishte ministrja e parë në detyrë që hetohej nga Prokuroria Speciale. Përpjekjet e Ilir Beqajt për ta çuar SPAK drejt hetimit të Manastirliut janë të hershme, por deri tani nuk ka reflektim nga Edi Rama, që e ka bërë të qartë se do t’i lëshojë bashkëpunëtorët, nëse këta kanë probleme me drejtësinë, duke i shkarkuar paraprakisht nga detyra.

Në vend se të lëshohet Manastirliu, për Beqajn këto ditë erdhi një goditje tjetër që ishte hapja e dosjes së restorantit “Gzona”, ku miku i tij i vjetër, Ermal Kurtulaj nxirrte fatura fiktive për të justifikuar paratë kesh. Por edhe pas daljes së kësaj dosjeje, Beqaj nuk është tërhequr.

Deri tani, Ilir Beqaj mund ta konsiderojë veten të favorizuar edhe në raport me të akuzuarit e tjerë në të njëjtën dosje të aferës së “sterilizimit”, si zv.ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj që sot po mbahen në burg ndërsa hetohen nga SPAK.

Beqaj është ish-ministri i dytë që del kundër Edi Ramës për aferat e korrupsionit dhe nuk pranon të bëhet kokë turku. Para tij, ishte Arben Ahmetaj që refuzoi të mbante mbi supe burgun për inceneratorët dhe u arratis nga vendi duke lënë pas shprehjen “mbreti nuk jam unë”./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco