Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në Fushë Krujë

Çfarë nxori në sipërfaqe shiu i sotëm?

Çfarë nxori në sipërfaqe shiu i sotëm?

14:45, 04/11/2023
A+ Aa A-

Kemi shprehur prej vitesh që “rilindja socialiste” po ndërton një shtet pa institucione, ku forma është gjithmonë më e rëndësishme se themeli, ku komunikimi rreth figurave të drejtuesve bëhet mbi shpinën e përmbajtjes pa të cilën asgjë nuk mund të ndërtohet.

Nga Andi Mustafaj

Shiu, stuhia që ra sot mbi Tiranë na e kujtoj në mënyrë të frikshme një gjë të tillë. Institucionet janë thelbësore sepse ato i mbijetojnë njerëzve, mundësojnë vazhdimësinë e shtetit dhe të trajtimit të problemeve të qytetarëve.

Në një shtet të bazuar në institucione të shëndetshme:

1. Shërbimet meteorologjike do kishin lajmëruar mbi rreziqet e një stuhie e cila kishte filluar të prekte Europën perëndimore

2. Ky lajmërim duhet të kishte vendosur në lëvizje një sërë institucionesh qendrore dhe vendore për të koordinuar shërbimet e ndryshme të shtetit: Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Rendit, Ministria e Transporteve, Bashkia e Tiranës.

3. Një plan do të ishte i përgatitur, i cili të parashikonte nëpunësit e shtetit që do të duhej të angazhoheshin, mjekët, zjarrfikëset, emergjencat civile, rrugët që duheshin bllokuar, sallën e krizës dhe menaxhimin e pasojave të shumta.

4. Një konference për shtyp do të ishte organizuar ku publiku do informohej për rrezikun që i kanosej, veprimet që do ndërmerrnin institucionet dhe çfarë u kërkohej të ndryshonin në sjelljen e tyre.

5. Kur stuhia të vinte, salla e krizës duhet të ishte funksionale dhe të bëhej një monitorim i zhvillimeve të ndryshme. Publiku duhej në kohë reale për ngjarjet, rrugët e bllokuara etj.

6. Nëpunësit e shtetit në terren do ishin të angazhuar menjëherë sa të ishte e mundur për të kthyer situatën në normalitet nëpërmjet heqjes së druve që mund të kishin rënë në rrugë, rregullimit të qarkullimit rrugor, kthimit të energjisë, menaxhimit të gjendjes shëndetësore shkaktuar nga plasja u ujërave të zeza etj.

7. Në përfundim të ngjarjes, të gjitha institucionet do mblidheshin përsëri për të bërë një përmbledhje dhe nxjerrë mësimet se çfarë u bë mirë dhe çfarë mund të përmirësohej në të ardhmen.

Fatkeqësisht asnjë prej këtyre gjërave nuk ndodhi sepse që prej ardhjes së saj në pushtet, “rilindja” ka shkatërruar në mënyrë metodike institucionet. Ato janë të nevojshme vetëm për të fotografuar “shefin”, për të bërë “like” në Facebook, për të gjetur poste të rehatshme për militant pa ndërgjegje publike.

Ndërtimi i institucioneve të forta duhet të jetë një prej prioriteteve kryesore të Partisë Demokratike.

Në betejën që kemi përpara kundër regjimit nuk duhen njerëz që kanë sindromën e “Mesisë”, të cilët mendojnë se do shpëtojnë vendin por njerëz me sindromën e “ndërtuesit”, të cilët dëshirojnë të vendosin një gur në ngritjen e një shteti të fortë, në dobi të qytetarëve shqiptarë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco