VIDEO/ Berisha: Nipi i Spiro Kolekës dhe i biri i xhelatit i ka bërë llogaritë gabim, kundër pluralizmit

16:26, 18/10/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur për mediat, pas seancës së posaçme ku foli presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç.

I pyetur nga gazetarët për situatën ku ndodhet opozita pas vendimit të Edi Ramës për ti përcaktuar bashkëkryetarin e komisionit të reformës zgjedhore, Berisha tha  se ai do të marrë përgjigjen në çdo seancë.

Berisha tha në fjalën e tij për gazetarët, se nipi i Spiro Kolekës dhe i biri i xhelatit i ka bërë llogaritë gabim kundër pluralizmit.

Deklarata e plotë e kryetarit të PD-së, Sali Berisha:

Prania jonë sot këtu ishte detyrim moral dhe i gjithanshëm, në respekt të Kroacisë një vend mik i vërtetë i Shqipërisë dhe të presidentit të saj, Milanoviç i cili me qëndrimet e tij në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por edhe pas OKB-së ka dëshmuar ndjenjat e tij më miqësore ndaj shqiptarëve, Kosovës, por edhe të shtetarit në respekt të ligjit dhe të drejtës ndërkombëtare.

Të krahasosh ato qëndrime me qëndrimet e Edi Ramës, i cili për dy apo tre ditë me radhë e shndërroi Tiranën nga kryeqytet evropian që duhej të ishte në kryeqytet, në gjysmën tjetër të Beogradit, apo të them në kryeqytet të megafonave të luftës së ftohtë kundër Kosovës dhe Prishtinës, konstaton një kontrast si nata me ditën.

Ndaj dhe ne përshëndesim vizitën e presidentit Milanoviç dhe e garantojmë Kroacinë se për ne marrëdhëniet me këtë vend mik, anëtar të BE-së dhe NATO, janë një përparësi  e padiskutueshme në marrëdhëniet tona në rajon dhe me gjerë.

Pyetje: Ju thatë, sot erdhëm në respekt të presidentit. Mos do të thotë kjo që opozita nga nesër do të fillojë bojkotin, apo do të jetë një grevë urie siç kanë propozuar disa deputetë të PD.

Sali Berisha: Opozita defakto është përjashtuar nga parlamenti si opozitë sovrane, në të cilën asaj në përputhje me kushtetutën i takon të përmbushë detyrimet ndaj qytetarëve që kanë votuar kundër qeverisë, edhe në parlament edhe kudo. Por me vendimet antikushtetuese të Edi Ramës, i cili ka marrë përsipër për herë të parë në histori ti emërojë bashkëkryetarin që do ai opozitës, dhe jo atë që zgjedh opozita vetë me deputetët e saj. Ti emërojë dhe ti rrëmbejë edhe postin e kryetarit të grupit parlamentar. Me bllokimin total të çdo nisme hetimore, parlamentare që është një mision kushtetues të opozitës. Pas komisionit të inceneratorit, Edi Rama nuk lejon asnjë komision tjetër, pasi ai e di shumë mirë se çdo komision që do të bëhet shkon tek ai dhe familjarët dhe klani i tij. këto i ka të qarta. Ndaj dhe opozita do të fillojë qëndresën e saj, në parlament me të gjitha mjetet e mundshme civile, dhe do të përshkallëzojë këtë. Armiqësisë së Edi Ramës do ti përgjigjet në mënyrën më të merituar.

Pyetje: Do të bllokoni kuvendin, cili do të jetë aksioni i opozitës?

Sali Berisha: Unë mendoj se ju duhet të keni durim dhe të ndiqni në çdo seancë qëndrimet e opozitës. Ju garantoj se ato do të mbrojnë me të gjitha aspektet, interesat e qytetarëve opozitarë që nuk e duan këtë qeveri.

Pyetje: Po për protestat e paralajmëruar z. Berisha, se ju keni kohë që flisni se do të bëni protesta.

Sali Berisha: Çdo gjë është në rendin e ditës.

Pyetje: Do të kemi një datë ...

Sali Berisha: Datë do të kemi, kur ta shpallim, por problemi qëndron këtu, pse fillon kjo në parlament. Sepse deputetët faktikisht defakto nuk janë më deputetë opozite, për arsye se të drejtat e tyre kushtetuese u konfiskuan nga Edi Rama. Ata do të fillojnë betejën brenda parlamentit dhe do ta vazhdojnë absolutisht në çdo skaj të këtij vendi.

Pyetje: Ju jeni kundër bojkotit, por i keni provuar të gjitha këto metoda, protesta, çfarë ka ngelur?

Sali Berisha: Jo nuk janë provuar. Ato që kemi bërë ne kanë qenë vetëm prova të përgjithshme, ose hapa të parë. Nuk është se janë provuar. Tani do të nisë beteja tamam, do të provohen. I ka bërë llogaritë gabim nipi i Spiro Kolekës dhe i biri i xhelatit, kundër pluralizmit. Do të varrosë pluralizmin, por ne do ti tregojmë se nuk mund ta bëjë atë. Nuk do ta lëmë ta bëjë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco