SYRI TV/ Veliaj i rikthehet pagesave për Sharrën, fatura 1.5 mln euro në dy ditë

11:24, 10/10/2023
A+ Aa A-

Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj, rinisi pas katër muajsh pagesat për kompaninë koncesionare të inceneratorit të Tiranës. Në datat 2 dhe 4 tetor, Bashkia e Tiranës ka paguar plotë 1.5 milionë euro për kompaninë Integrated Energy BV, që është në pronësi të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit. Pagesat rikthehen pasi në muajin shtator Erion Veliaj miratoi një fond ekstra prej 6 milionë eurosh, para të cilët iu morën kopshteve dhe çerdheve për të paguar inceneratorët

SYRI TV

Bashkia e Tiranës i rikthehet pagesave për kompaninë koncesionare të plehrave, “Integrated Energy bv”, pasi më herët zvogëloi me 6 milionë euro fondet e destinuara për arsimin, me qëllim që të likuidonte faturat e depozitimit të mbetjeve urbane.

Në fundjavën e kaluar, administrata e drejtuar nga Erion Veliaj ka paguar afërsisht 1.5 milionë euro për plehrat. Të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë se kjo pagesë është kryer me dy këste. Në datën 2 tetor, Veliaj ka derdhur në arkën e koncesionarit shumë prej afërsisht 82 milionë lekë të reja. Pak ditë më vonë, në datë 4 tetor 2023, Bashkia e Tiranës ka paguar edhe 74.3 milionë lekë të reja, duke arritur vlerën total prej mbi 156 milionë lekë të reja.

Në mesin e shtatorit të këtij viti, Veliaj kërkoi nga Këshilli Bashkiak ndryshimin e buxhetit, me qëllim devijimin e fondeve të parashikuara për infrastrukturën arsimore dhe për t’i kaluar ato tek kompania me pronarë realë dy persona në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.

Në relacionin që i drejtohej Këshillit Bashkiak, Veliaj deklaronte se bashkia është në kushtet e emergjencës për pagesën e tarifave të depozitimit të mbetjeve në Sharrë, pasi fondi i përcaktuar për të gjithë vitin 2023 ishte shpenzuar i gjithi brenda muajit maj.

Këshilltarët bashkiakë të opozitës e kundërshtuan me forcë këtë kërkesë të Veliajt, i cili hoqi dorë nga përmirësimi i infrastrukturës arsimore për të paguar koncesionarin e vendosur nën sekuestro nga SPAK. Megjithatë, këshilltarët socialistë, me forcën e kartonit, arritën të përkrahin kërkesën e Erion Veliajt, duke hequr rreth 6 milionë euro nga buxheti për shkollat dhe kopshtet e duke ia kaluar ato depozitimit të mbeturinave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco