Berisha: Rama vodhi 40 milionë euro me inceneratorin e Fierit dhe 28 milionë euro me atë të Elbasanit

Berisha: Rama vodhi 40 milionë euro me inceneratorin e Fierit dhe 28 milionë euro me atë të Elbasanit

12:29, 28/08/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi sot se Edi Rama ka vjedhur 40 milionë euro me djegësin e Fierit dhe 28 milionë euro me atë të Elbasanit.

“Në daljen e tij të fundit publike, Edi Rama u faktoi shqiptarëve se ai është autori numër një i vjedhjeve të shekullit, vjedhjes me inceneratorët dhe vjedhjes me PPP-të në fushën e shëndetësisë.

Ai doli të shtunën para gazetarëve për veprat penale më të rënda, të djegësve dhe sterilizimit, të sekuestruara si vepra krimi, duke vlerësuar krimet e shëmtuara që kanë ndodhur me to, thjesht si mangësi në ndërtime.

Konkretisht, ai u shpreh: Gjëra kanë ndodhur, ka pasur mangësi dhe nevoja.

Me mangësi dhe nevoja, Edi Rama përpiqet të mbyllë vjedhjen dhe krimin e shëmtuar me djegësin e Elbasanit, me të cilin iu vodhën qytetarëve nga klani i plehrave, me në krye vetë Ramën, 28 milionë euro, dhe tani ka ngelur një rrangallë pa funksion, çka dëshmoi qartë djegia e malit të plehrave në Elbasan, pikërisht ditën kur Rama tha se ai ekziston.

Edi Rama vlerësoi si mangësi dhe nevoja krimin e shëmtuar dhe vjedhjen e 40 milionë eurove me djegësin e Fierit, i cili sipas dokumenteve zyrtare, në pranverën e vitit 2021, u njoftua nga pronari në letër i kompanisë, Zoto, se djegësi i Fierit ka përfunduar.

Të njëjtën gjë mashtruan publikun deputetët socialistë, të cilët gjatë komisionit hetimor parlamentar, bënë një vizitë në Fier dhe thanë se djegësi funksionon.

Në fakt, mangësitë e Ramës janë krime të shëmtuara. Djegësi i shpallur funksionues në pranverën e vitit 2021, dhe sot e kësaj dite nuk funksionon, përreth tij është ngritur një mal i tërë plehrash, të cilin Rama u përpoq ta digjte ditën e shtunë njësoj si ato të Elbasanit.

Për djegësin e Fierit, flitet se aty nevojiten, pasi janë shpenzuar 38 milionë euro, edhe 4 milionë të tjera, që mafia e plehrave t’i vjedhë dhe përvetësojë dhe t’i çojë në kontot bankare dhe shqiptarët të marrin një rrangallë që thuhet se është çmontuar në Konstancë të Rumanisë si impiant i viteve ’70,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco