Kraja: Ja rastet kur kryebashkiakët europianë kanë dhënë dorëheqje për skandale më të vogla se të Veliajt!

Kraja: Ja rastet kur kryebashkiakët europianë kanë dhënë dorëheqje për skandale më të vogla se të Veliajt!

11:56, 02/05/2024
A+ Aa A-

Erion Veliaj, kryebashkiaku i diskredituar i Tiranës, vazhdon të mbrojë vjedhjet skandaloze në institucionin e tij, duke thënë se nuk mban përgjegjësi.

Madje kërkesat për dorëheqje, ai i quan një kapriçio ballkanike.

Por anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Akil Kraja rreshtoi sot të gjitha rastet kur kryebashkiakët europianë kanë dhënë dorëheqje për skandale shumë më të vogla se të Erion Veliajt.

DEKLARATA E PLOTE

Erion Veliaj, kryetari në dalje i Bashkisë së Tiranës deklaron perlën e radhës. Sipas tij, kërkesa e qytetarëve që ai të mbajë përgjegjësi për abuzimin në dhjetëra milionë euro me taksat e tyre, është një ‘kapriçio ballkanike’. Citojmë: “Jetojmë në Ballkan dhe këtu suksesin nuk ta falin kollaj”.

Le të bazohemi atëherë mbi standardet europiane dhe sesi sillet një kryetar bashkie europiane përballë një skandali, sado i madh apo i vogël qoftë ai.

Në tetor të vitit 2015, kryetari i Bashkisë së Romës, Ignazio Marino, dha dorëheqjen se u akuzua se kishte paguar me kartën e debitit të bashkisë 20.000 euro për darka me familjarë e miq të tij në një periudhë 2-vjeçare. Dhe pse ai deklaroi se do të rimbursonte vlerën në fjalë, ai u largua. Kaq mjafton në Europë për të dhënë dorëheqjen.

Në dhjetor të vitin 2014, Kryetari i Bashkisë së Berlinit, Klaus Wowerei dha dorëheqjen pas presionit publik mbi vonesat, tejkalimin e kostove dhe nepotizmin që prekte ndërtimin e Aeroportit të Berlinit. Ai akuzohej ndër të tjera, se bordet e projektit ishin plotësuar me miq të tij. Kaq mjafton në Europë për të dhënë dorëheqjen.

Në dhjetor të vitit 2012, kryetari i Bashkisë së Mariborit në Slloveni, Franc Kangler, dha dorëheqjen vetëm pas 2 protestave të shoqërisë civile dhe të opozitës, pas publikimit të akuzave ndaj tij për korrupsion. Kaq mjafton në Europë për të dhënë dorëheqjen.

Në korrik të vitit 2008, nënkryetari i Bashkisë së Londrës, Ray Lewis, ka dhënë dorëheqjen 24 orë pas fillimit të punës së një komisioni hetimor bashkiak që kërkonte të hidhte dritë mbi një hua të tij të para 10-viteve prej 30.000 paundësh, kohë që ai angazhohej në një kishë lokale. Kaq mjafton në Europë për të dhënë dorëheqjen.

Po kështu kanë dhënë dorëheqjen vetëm se u përfolën në skandale korrupsioni kryetari i Bashkisë së Venecias, Giorgio Orsoni apo dhe nënkryetari i Bashkisë së Pragës, Jiri Paluska. Kaq mjafton në Europë për të dhënë dorëheqjen.

Ka dhe raste më pikante si ai i kryetarit të Bashkisë së Guyor, qyteti i dytë më i madh në Hungari, i cili dha dorëheqjen në nëntor të vitit 2019 vetëm se u shfaq në një video rozë në një jaht. Rast ky që i ngjan atij të Shukri Xhelilit, i cili u largua në vitin 2016 nga posti i tij i kryetarit të Bashkisë së Dibrës vetëm sepse u filmua në një video rozë.

Në Tiranë interesat e qytetarëve vlejnë më pak se ato të Dibrës? Po, sigurisht, sepse Erion Veliaj në këto 9 vite si kryetar bashkie ka xhiruar mbi 1 miliardë euro në tendera e konçesione publike. Në këto 9 vite ka punësuar mbi 10.000 persona. Në këto 9 vite janë vjedhur dhjetëra miliona euro nga drejtorët e tij të cilët ishin nën përgjegjësinë e tij direkte!

Të martën, në orën 11.00 vijon protesta më e drejtë, që qyteti i Tiranës ka realizuar në këto 30 vite.

Erion Veliaj duhet të japë dorëheqjen, të hetohet e të dënohet ashtu siç do të ndodhte në çdo qytet europian. Çdo ditë që ai vijon të mbetet kryetar bashkie, është një ditë që i vidhet Tiranës, kryeqytet europian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco