Dëshmia në SPAK/ Italiani Granelli

Dëshmia në SPAK/ Italiani Granelli

20:13, 09/08/2023
A+ Aa A-

SPAK midis personave që ka marrë në pyetje, në lidhje me çështjen e inceneratorëve, nuk ka përjashtuar as aksionerët apo ish-aksionerët.

Një nga njerëzit kyç të çështjes se inceneratorëve në Shqipëri është edhe shtetasi Ernesto Granelli. Ai është një nga njerëzit kryesorë që nga inceneratori i Elbasanit, e më pas në Fier e në Tiranë.

Ernesto Granelli ka qenë aksioner dhe ortak me Stela Gugalljan, bashkëjetuesen e Mirel Mërtirit. Ky i fundit ka qenë administrator në kompaninë “ER One”, e cila ka marrë këtë emër pasi Granelli ka pasur kompaninë “Energy Recuperator” në Itali dhe “ER One” është një kompani ku administrator ishte Mirel Mërtiri, ndërsa Granelli dhe Gugallja kanë qenë aksionerë.

Ernesto Granelli ka marrë edhe 30% të aksioneve në inceneratorin e Fierit, të cilat më pas ia ka shitur kompanisë së ndërtim-montim Patos.

Më tej, sipas letrave që CNA i ka publikuar disa herë, janë denoncuar edhe nga gazetari Elvi Fundo, Granelli figuron të jetë një nga aksionerët themelues të kompanisë holandeze “Integrated Energy”, e cila është edhe mëma e kompanisë koncesionare të Tiranës “Intregrated Energy BV SVP”. Aksionet si themelues Ernesto Granelli ia ka shitur Klodian Zotos.

Në deponimin e dhënë në SPAK, Granelli deklaron se rreth fundit të vitit 2016, apo fillimit të vitit 2017, ka shitur shoqërinë e tij “Energy Recuperator SPA” te shoqëria tjetër italiane “Paul Wurth Italia SPA”.

Ai është shprehur se për të themeluar kompaninë holandeze “Integrated Energy” ka rënë në kontakt me një shoqëri shqiptare, por nuk ia mbante mend emrin dhe kishte mësuar në Shqipëri se ishin të interesuar për të ndërtuar incenerator, duke filluar nga Elbasani.

Pra, këto janë hapat e parë të Granellit. Ai gjithashtu deklaron se mban mend që kanë shkuar në Itali shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto me qëllim për të parë impiantet ekzistuese.

Më tej, SPAK e ka pyetur nëse shoqëria e tij ka zotëruar aksione në shoqërinë holandeze, ndërsa ai theksoi se shoqëria e tij “Energy Recuperator” nuk ka pasur aksione te shoqëria holandeze “Integrated Energy”, por ka pasur 15% aksione te një shoqëri tjetër holandeze që nuk ia mban mend emrin.

Granelli është pyetur për faktin nëse ka dijeni se dokumentet që i përkasin shoqërisë së tij “Energy Recuperator SPA” janë përdorur për të fituar koncesionin për inceneratorin e Tiranës dhe ai është përgjigjur se dokumentacioni i përdorur nga shoqëria e tij “Energy Recuperator” ka qenë për tu përdorur më herët në kohë dhe konkretisht për inceneratorin e Elbasanit

Pra, ai nuk ka dijeni që ky dokumentacion do të përdorej për kriteret teknike dhe për inceneratorin e Tiranës. Kështu, SPAK ka shkuar më tej duke zbardhur mashtrimin me letrat e falsifikuara pa dijeni e personave konkretë dhe pronarëve, të cilëve u janë marrë dokumentet, u janë janë dërguar, janë firmosur në emër të tyre, apo u janë marrë pasaportat, siç janë rastet e mëparshme të denoncuara nga CNA, kjo tashmë e provuar sipas hetimeve të SPAK.

Granelli ka deklaruar para SPAK-ut se dokumentet e shoqërisë së tij “Energy Recuperator” ia ka dorëzuar shtetasve me emrin Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

Ai ka theksuar se pavarësisht se kishte shitur shoqërinë e tij “Energy Recuperator” te shoqëria “Paul Wurth Italia” kishte të drejtën e nënshkrimit, pasi kishte mbetur kryetari i bordit.

Më tej, Granelli ka nënvizuar se nuk ka dijeni që shoqëria e tij të ketë fituar tender në lidhje me inceneratorin e Tiranës.

 

Ai deklaron se nuk ka dijeni që shoqëria e tij të ketë 30% të shoqërisë holandeze “Integrated Energy” dhe në këtë kohë ai ka dakordësuar shitjen e shoqërisë së tij te shoqëria “Paul Wurth” dhe nuk ia kanë bërë me dije këtë situatë, pra aksionet e vëna te kompania në Holandë.

Italiani shprehet se në vitin 2018 shoqëritë shqiptare i kanë kërkuar “Energy Recuperator”-it dhe “Paul Wurth”-it të dalin nga të qenurit aksionerë te kompania holandeze, në këtë mënyrë ka mbetur aksionere vetëm shoqëria shqiptare.

I pyetur për faktin nëse e njeh shtetasin Freek Hilberdink, person i autorizuar me prokurë edhe nga shoqëria “Energy Recuperator”, për të kryer aktin e themelimit të shoqërisë holandeze “Integrated Energy”, ai deklaron se nuk e njeh këtë shtetas.

I pyetur për faktin nëse e njeh shtetasin Arnaud Jean – François Guillaume van der Werd, Theo Spijkerman, Hans Werner Wallage, të cilët kanë pasur pozicione drejtuese, menaxhuese te shoqëria holandeze “Integrated Energy”, ai deklaron se nuk njeh asnjë nga shtetasit e mësipërm.

Ndërsa në lidhje me shtetasin Giusseppe Ciaffaglione, ka deklaruar se e ka pasur të punësuar më herët te kompania e tij “Energy Recuperator”.

Kjo është deklarata e Ernesto Granellit, një nga personat kyç që gjendet në faqen 27 të dokumenteve që SPAK ka dërguar në gjykatë.

Pra, edhe shtetasi italian Ernesto Granelli qartazi tregon se nuk njeh as drejtorët, as administratorët, nuk ka dhënë dokumente për inceneratorin e Tiranës, nuk ka dhënë leje dhe dokumente për të hapur kompaninë në Holandë.

Ky fakt tashmë provon se skema e inceneratorit të Tiranës është një histori mashtrimi që ka filluar nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët kanë përdorur, falsifikuar, mashtruar më pasaporta, me dokumente, me kompani të ndryshme të bashkëpunëtorëve që ata kishin, të cilat i kanë keqpërdorur duke regjistruar kompani në Holandë dhe duke fituar në mënyrë abuzive një koncesion siç është ai i inceneratorit të Tiranës.

Në fakt, kompania “Geogenix” ka shkuar edhe më tej, ka shkuar edhe në Zimbabve, ka shkuar edhe në vende të tjera të botës. CNA do të zbardhë në vazhdim jo vetëm dokumentet e SPAK, por të gjithë skemën e mashtrimit që ka filluar me një kompani holandeze, të krijuar nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët kanë dashur të fshihen e të mos shfaqen me emrat e tyre.

Qartazi, tashmë aksionerët e kompanisë “Geogenix”, mëmës së inceneratorit të Tiranës, themeluesit e saj dalin hapur dhe i thonë prokurorëve të SPAK-ut se nuk kanë lidhje me historitë e Holandës, nuk kanë dorëzuar dokumente apo janë aksionerë të fjetur dhe japin fakte dhe prova mbi korrupsionin, skandalin, mashtrimin e bërë me inceneratorin e Tiranës, apo atë që quhet projekti i landfillit dhe inceneratorit të Tiranës./ CNA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco