Gazeta amerikane: Soros ndikon te Biden për të mbrojtur liderët e huaj

Gazeta amerikane: Soros ndikon te Biden për të mbrojtur liderët e huaj

10:17, 08/07/2023
A+ Aa A-

Nga Chuck Ross, Washington Free Beacon

Alex Soros kohët e fundit ka marrë kontrollin e Open Society Foundations të themeluar nga babai i tij që ka si mision zhdukjen e korrupsionit qeveritar në vendet e huaja. Por Sorosi i ri mund ta ketë minuar këtë mision në takimin e 4 korrikut me një lider evropian të implikuar në korruptimin e një zyrtari të lartë të kundërzbulimit në FBI.

Solos dhe ish-presidenti Bill Clinton u takuan me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Tiranë. Në një postim në rrjetet sociale, Soros e quajti Ramën, kryetar i Partisë Socialiste, “vëlla” dhe një nga liderët më të mëdhenj në botë. Por reputacioni i Ramës mori një goditje të madhe pas ngritjes së akuzës kundër Charles McGonigal.

Sipas prokurorëve federalë, McGonigal i shiti akses Ramës dhe zyrtarëve të tjerë shqiptarë në shkëmbim të qindra mijëra dollarëve gjatë kohës kur ishte ende në FBI. Pas takimeve me Ramën, thuhet se lideri shqiptar i dha atij informacion për një lobues amerikan që punonte për rivalin politik të Ramës. Më pas, McGonigal mashtroi kolegët e FBI-së në hapjen e një hetimi mbi lobuesin.

McGonigal akuzohet për fshehje të lidhjeve me shtetas të huaj dhe për bërje deklaratash të rreme. Rama ka mohuar të ketë bërë ndonjë gjë të gabuar, por nuk është hera e parë që ai akuzohet se ka përdorur amerikanë për ta ndihmuar politikisht. Më 2019, një biznesmen shqiptaro-amerikan pranoi se kishte mbledhur 80 mijë dollarë në kontribute të paligjshme fushate për Barack Obamën në emër të Ramës më 2012. Rama dyshohet se donte një foto me presidentin amerikan për të përdorur në fushatën e tij në Shqipëri.

Takimet e Sorosit me liderin konfliktual shqiptar mund të ngrenë pyetje për pretendimet e Open Society për përkrahje të qeverive “të hapura” e “demokratike” në Shqipëri e kudo në botë. Open Society ka shpenzuar dhjetëra miliona dollarë në vendin ballkanik që nga 1992, duke financuar organizata për “fuqizimin e demokracisë vendase” e për të luftuar krimin e organizuar. Filantropia shpenzoi 2 milion dollarë në Shqipëri më 2020, kryesisht për reformën në drejtësi dhe për fuqizimin e “praktikës demokratike” Open Society shpenzon qindra miliona dollarë çdo vit në grupe në SHBA që përkrahin lëvizjen e çfinancimit të policisë, të zgjerimit të Gjykatës së Lartë dhe të mundësimit të iniciativave radikale për ndryshimet klimatike.

Alex Soros, të cilin i ati e vendosi në krye të Open Society këtë vit, ka përdorur lidhjet me administratën Biden për të mbrojtur liderët e huaj të mbështetur nga Open Society. Soros është takuar të paktën pesë herë me zëvendës-këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, Jon Finer. Një nga takimet ishte në të njëjtën ditë me vizitën e presidentit brazilian Luiz Inácio Lula da Silva në Shtëpinë e Bardhë. Soros shoqërohej në takim nga Pedro Abramovay, drejtor i zyrës së Open Society në Rio De Janeiro, i cili kishte shërbyer në administratën e mëparshme të Lulës. Nuk dihet nëse Soros ka folur për Ramën gjatë vizitave në Shtëpinë e Bardhë.

Vizita e Sorosit dhe Clintonit në Tiranë mund t’i japë Ramës shtysën aq të nevojshme për të rritur reputacionin brenda e jashtë vendit teksa përballet me pyetje për marrëdhënien e tij me McGonigal. Opozita shqiptare ka bërë thirrje që Rama të shkojë në parlament e t’u përgjigjet pyetjeve për marrëdhënien me zyrtarin e diskredituar të FBI-së. Rama ka refuzuar të dalë para parlamentit dhe tha se akuzat e pabaza synonin “të shfrytëzonin politikisht një proces ligjor në SHBA që nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë, qeverinë, apo mua personalisht”.

Clinton u shfaq me Ramën në një event në Tiranë për të pranuar Yllin e Madh të Mirënjohjes për Arritjet Publike, nderimi më i lartë i dhënë nga kryeministri i Shqipërisë për të huajt. Soros e përshëndeti Shqipërinë si një “aleate e madhe” e Shteteve të Bashkuara dhe vlerësoi “udhëheqjen e Edi Ramës”.

“Dhe çfarë koincidence ë Edi Rama është lindur më 4 korrik!!! Festimi i Ditës së Pavarësisë dhe ditëlindjes së vëllait tim Edi me këta dy burra të mëdhenj ishte një moment kulmor që do ta vlerësoj gjithmonë!”, shkroi Soros, duke postuar foto të tij me Clinton dhe Ramën.

Rama u takua me McGonigal të paktën katër herë përpara se McGonigal të tërhiqej nga FBI në 2018. Sipas prokurorëve, McGonigal loboi te Rama në emër të një biznesmeni shqiptaro-amerikan, Agron Neza, i cili kërkonte kontrata me qeverinë shqiptare. Neza dyshohet se i ka paguar McGonigalit 225 mijë dollarë për të organizuar takime me Ramën dhe këshilltarin e tij, Dorian Duçka.

Pas një takimi me Ramën në nëntor 2017, McGonigal i kërkoi një prokurori federal të hetonte një lobues amerikan për rivalin kryesor të partisë së Ramës, Partinë Demokratike. Partia drejtohej nga Lulzim Basha, një konservator që mbështeti Donald Trump. Prokurorët pretendojnë se McGonigal mori informacion nga zyra e Ramës për lobuesin amerikan, Nicholas Muzin, dhe ua dha atë kolegëve të tij në FBI. Byroja hapi zyrtarisht një hetim për Muzin në shkurt 2018. Neza dhe Duçka shërbyen si burime për FBI-në si pjesë e hetimit, sipas prokurorëve.

Rama pranoi në mars se u takua me McGonigal dhe Nezën, por mohoi t'i kishte paguar ryshfet zyrtarit të FBI-së.

Open Society Foundations nuk iu përgjigj kërkesës për t’u prononcuar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco