Osmani do të flasë nesër para Parlamentit Europian, hera e parë e një presidenti të Kosovës së pavarur

Osmani do të flasë nesër para Parlamentit Europian, hera e parë e një presidenti të Kosovës së pavarur

16:49, 13/06/2023
A+ Aa A-

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i drejtohet nesër me një mesazh, Parlamentit Europian, ashtu siç bëri në vitin 1998, lideri historik Ibrahim Rugova. Kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian, njoftoi presidenca.

Vjosa Osmani shkroi në Fb: “Nesër, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës do t’i adresohem Parlamentit Evropian. Në vitin 1998, Presidenti Rugova, si fitues i çmimit Sakharov, iu adresua po këtij institucioni, për të kërkuar mbështetjen e popujve evropianë për lirinë e Kosovës.

25 vite pas, para po të njëjtit institucion, do ta përçoj mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Parlamentit Evropian për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë tonë si dhe për rrugëtimin tonë evropian.”

Presidenca e Kosovës po ashtu njoftoi se: "Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, do t’i adresohet Parlamentit Evropian këtë të mërkurë. Kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian.

Presidentja Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për Kosovën që nga vitet e 90-ta.

Gjatë qëndrimit në Strasburg, ku po mbahet seanca e Parlamentit Evropian, Presidentja Osmani do të pritet fillimisht nga Presidentja e Parlamentit Evropian, znj.Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian.

Përveç takimeve me përfaqësues të Parlamentit Evropian, gjatë qëndrimit në Strasburg, Presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës."/ar.sh/SYRI.NET

 

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco