INTERVISTA/ Indrit Hoxha tregon si do e transformojë Vorën e falimentuar

10:29, 03/05/2023
A+ Aa A-

“Në maj 2021, unë kam deklaruar që brenda dy viteve e gjysmë, z. Berisha do të jetë në Shtëpinë e Bardhë i pritur nga zyrtarët më të lartë, madje nga Presidenti ose nga Sekretari i Shtetit i ardhshëm i SHBA-së. Shumë njerëz ishin skeptikë dhe çuditeshin, po koha dhe faktet po tregojnë që z. Berisha është drejt kësaj rruge!”

Kjo ishte deklarata që bëri sot, z. Indrit Hoxha, mbi një parashikim politik të guximshëm që kishte bërë dy vjet më parë, të cilin e riktheu me qëllim dhe me besim në vëmendjen e qytetarëve pikërisht në një moment kur po kandidon me koalicionin opozitar për të fituar bashkinë e rëndësishme të Vorës.  

I ftuar në emisionin “KAFE SHQETO” në SYRI TV, Indrit Hoxha nuk shpalosi vetëm platformën e tij për zhvillimin e bashkisë industriale të vendit, por edhe vizionin e tij për të ardhmen e Partisë Demokratike të ringritur dhe fundin e kryeministrit Edi Rama: “Rama tani nuk e ka më betejën me shqiptarët, me opozitën, me z. Berisha, - theksoi Hoxha, - por e ka me drejtësinë amerikane dhe besoj totalisht se drejtësia amerikane do të veprojë shumë shpejt!”

Ndiqni intervistën e plotë të z. Indrit Hoxha me gazetarët Flavio Qarri dhe Ola Bregu.

Kafe Shqeto: Z. Hoxha, le ta fillojmë nga programi juaj për bashkinë e Vorës...

Indrit Hoxha: Unë kam një program që ditën time të parë. 80% taksa më pak për biznesin e vogël dhe falje e çdo detyrimi që kanë në katër vitet e kaluara.

50% më pak taksa për biznesin e madh dhe mbledhje detyrimi për çdo detyrim të prapambetur në katër vitet e kaluara.

Thithje të investimeve të huaja në bashkinë e Vorës.

Kthimi i dy zonave, si Marikaj dhe Preza, në zona vërtet turistike siç është pjesë e “100 fshatrave turistikë” të Shqipërisë.

Ribërja e planit urbanistik. Krijimi dhe hapësira më të mëdha për ndërtimin. Rritja e koefiçientit të ndërtimit. Ulja e taksave të ndërtimit.

Kafe Shqeto: Po si do të veproni, duke pasur parasysh se një pjesë e mirë e bashkive në vend janë në prag falimentimi?

Indrit Hoxha: Vora është bashki e falimentuar sot dhe nuk ka fatkeqësi më të madhe që një bashki, e cila në territorin e ka 1939 biznese VIP dhe të mëdha e 872 biznese të vogla, pra është bashkia industriale e Shqipërisë, të jetë bashki e falimentuar. Po pse ka ndodhur kjo gjë?! E para ka ndodhur për shkak të fryrjes së administratës. 1068 nëpunës ka bashkia e Vorës. Rreth 700 prej tyre janë patronazhistë. Nuk kanë as gjendjen civile në Vorë, as jetojnë në Vorë. Thjesht i kanë sjellë nga Tirana, marrin rrogën, bëjnë patronazhistin dhe japin informacion tek partia e tyre ku voton ky, ku voton ai, çfarë bën ky, çfarë bën ai, ku ha ky, ku pi ai. Domethënë, tek ish-partia e Sigurimit të Shtetit. Këtë gjë bëjnë edhe në Vorë.

E para gjë, ditën e parë këta njerëz do të verifikohen sipas ligjit të Nëpunësit Civil; do të shikohet kush ka shkelur ligjin që është marrë në punë, nuk do të jetë më pjesë e administratës së bashkisë. E dyta, do të rrisim pagat e bashkisë së Vorës. Bashkia e Vorës ka paga 300 mijë, 350 apo 400 mijë lekë të vjetra. Janë paga qesharake. Do t’i dyfishojmë dhe do t’i trefishojmë këto paga sepse është një bashki që e ka mundësinë për shkak të zonës industriale që ka. Do të falim të gjitha detyrimet e prapambetura të biznesit të vogël.

Bashkia e Vorës ka bërë një tender, 2.3 milionë euro, tender pastrimi, para gjashtë muajve dhe kjo është afera më e rëndë korruptive dhe shkelja më e rëndë ligjore, për të cilën unë do t’i paraqes çdo dokument Prokurorisë së Posaçme SPAK për këtë aferë korruptive - dhe i vjel biznesit të vogël, 10 mijë lekë të reja, taksë pastrimi. Do t’ia zerojmë, biznesit të vogël këtë taksë.

Biznesi i vogël paguan 3 mijë lekë të reja, taksë ndriçimi, kur asnjë rrugicë dhe asnjë rrugë e bashkisë Vorë nuk ka ndriçim. Po si mund të paguash një taksë për diçka që nuk ekziston?! Do ta zerojmë këtë taksë.

Kafe Shqeto: Për bashkinë e Tiranës, për rëndësinë që ka, është e domosdoshme të ketë një përballje publike midis kandidatëve, edhe pse ka pasur tentativa politike për ta shmangur. Në cilat bashki të tjera e shihni të domosdoshëm, pranimin e një debati nga ana e kandidatëve?

Indrit Hoxha: Në gjykimin tim duhet të jetë një debat për të 61 bashkitë e vendit. Çdo bashki ka rëndësinë e saj, dikush më të madh për shkak të numrit të popullsisë apo të të ardhurave, dikush më të vogël, por çdo bashki ka rëndësinë e saj. Kur themi për pjesën e debatit, ne nuk themi të dalim në një media e të bëjmë debat. Debati mund të bëhet edhe tek qytetarët edhe pa praninë e medieve. Dy kandidatët, i opozitës dhe i mazhorancës, gjithsekush të lajmërojë qytetarët, të mblidhen, ja sheshi - ja mejdani, të diskutojnë kush i bind qytetarët, kush ka alternativa dhe programin më të mirë, të marrë votat dhe të fillojë të administrojë bashkinë e cila sot fatkeqësisht drejtohet nga 60 të emëruar të Edi Ramës. Janë kryetarë bashkish që nuk janë zgjedhur me votë, sepse ne e dimë historinë e zgjedhjeve të 2019-ës se si shkoi që nuk morëm pjesë në zgjedhjet lokale dhe kjo mund të jetë një arsye shumë e fortë pse këta njerëz duhet të ballafaqohen në një debat publik.

Kafe Shqeto: A do të jenë afatgjata, pasojat e bojkotit të parlamentit dhe të bojkotit të zgjedhjeve lokale për opozitarizmin në Shqipëri apo mbarojnë më 14 maj?

Indrit Hoxha: Partia Demokratike, gjatë dy viteve të fundit, nuk ka kaluar një kohë të qetë, në një periudhë normale brenda saj për shkak të gjithë debatit të brendshëm që ne kemi zhvilluar në dy vite. Ajo çfarë shikoj sot është se e gjithë baza e demokratëve, e simpatizantëve por edhe përtej demokratëve, shikoj angazhimin e tyre në fushatë dhe shikoj mbështetjen që po i japin kandidatëve të primareve të koalicionit “Bashkë fitojmë”.

Unë mendoj, në gjykimin tim, që pas datës 14 maj, shumica e bashkive të vendit do të jenë nën logon e “Bashkë fitojmë” sepse kjo qeveri ka përdorur çdo lloj metode shtypëse ndaj njerëzve për t’i bërë shantazh, për t’i bërë presion, për t’i shantazhuar, për t’i keqqeverisur, për t’i grabitur. Sidomos gjatë dy viteve të fundit, arroganca e qeverisë  është në nivelet e saj më të larta dhe pa diskutim që qytetarët shqiptarë dinë të reagojnë dhe reagojnë me votë. Ma besoni që më 14 maj, reagimi me votë do të jetë shumë i madh në të gjithë vendin.

Kafe Shqeto: Ne jemi mësuar që gënjeshtra më e madhe në fushatë elektorale është pikërisht premtimi i çdo kandidati. Kësaj radhe po shohim, veçanërisht nga zoti Rama, “arritjet” e reja në këtë lëmë. Edhe në këto kushte sa do të ishte i mundur debati?

Indrit Hoxha: Rama është ai që është dhe dihet që propaganda e tij në fushatë është në nivele realisht të frikshme sa shpeshherë i shet si arritje të qeverisë së tij, arritjet e qeverisë së Partisë Demokratike dhe kohën kur zoti Berisha ishte kryeministër. Shumë vepra të mëdha publike janë bërë gjatë qeverisjes së zotit Berisha për të mos thënë që gjatë qeverisjes së z. Rama nuk është bërë asnjë vepër e madhe publike në interes të qytetarëve. Rama, çfarë bën?! Shkon atje dhe u thotë njerëzve për këto që ka bërë PD-ja, do t’i shesë si.. .Rama do të na vjedhë 8 Dhjetorin neve dhe 12 Dhjetorin, krijimin e Partisë Demokratike dhe jo më veprat publike!!! Këto janë komplekset që ka ky kryeministër në ikje.

Unë personalisht e shikoj në Vorë dhe ua them me pastërtinë më të madhe, më vjen zor nga vetja ime kur u premtoj dy gjëra, qytetarëve, rrugë dhe ujë! Pra, në 2023-shin, të hysh në një fushatë elektorale, 32 vjet që ka ardhur demokracia në këtë vend dhe jemi vend që aspirojmë të jemi pjesë e BE-së, t’u thuash qytetarëve unë do t’u bëj rrugën, unë do t’u sjell ujin e pijshëm, nuk ka fatkeqësi më të madhe! Kështu që Rama të mos merret me përralla me mbret, por të merret me realitetin dhe hallet e reale që kanë qytetarët shqiptarë. Sot, ajo çfarë konstatoj unë, uji i pijshëm që është jetik, është një problem shumë i madh për shumë e shumë bashki të vendit; papunësi, ikja e rinisë, shpopullimi, këto janë problemet reale që kanë Shqipëria sot.

Kafe Shqeto: A mund të zëvendësohet debati i 61 kandidatëve për bashkitë e vendit në një debat Rama-Berisha?

Indrit Hoxha: Unë jam plotësisht dakord që, që në këtë moment, të zëvendësohet.

Kafe Shqeto: Z. Hoxha, dua të ndalem tek një çështje tjetër, deklarata e z. Berisha mbi një artikull që “Ëashington Examiner” i ka dedikuar aferës McGonigal. Në ç’pikë është kjo çështje? A ka arritur Rama ta devijojë vëmendjen?

Indrit Hoxha: Në 20 maj 2021, dy ditë pasi shpallja “non grata” e z. Berisha ishte bërë publike nga Sekretari i Shtetit, Blinken, unë kam qenë në një media televizive dhe kam deklaruar që brenda dy viteve e gjysmë, z. Berisha do të jetë në Shtëpinë e Bardhë i pritur nga zyrtarët më të lartë, madje nga Presidenti ose nga Sekretari i Shtetit i ardhshëm i SHBA-së. Shumë njerëz ishin skeptikë dhe çuditeshin.  Koha po tregon dhe faktet po tregojnë që z. Berisha është drejt kësaj rruge.

Pra, aferat korruptive që janë bërë në kurriz të liderit të opozitës dhe të të gjithë opozitës shqiptare (sepse goditja e z. Berisha nuk ka qenë goditje vetëm ndaj individit Berisha, por ka qenë goditje ndaj opozitës shqiptare. Duke goditur Sali Berishën, u godit opozita shqiptare), korruptimi që bëri Rama ndaj zyrtarit shumë të lartë të FBI-së, drejtorit të Kundërzbulimit, pra Rama tani nuk e ka më betejën me shqiptarët, me opozitën, me z. Berisha, por e ka me drejtësinë amerikane dhe unë besoj totalisht se drejtësia amerikane do të veprojë shumë shpejt edhe me mekanizmat e drejtësisë shqiptare siç është Prokuroria e Posaçme, SPAK./ar.sh/SYRI.NET

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco