Korrupsioni në Bashkinë e Fushë Arrëzit/ PD: Prokuroria të shikojë gërmën e ligjit, jo ngjyrën e parave!

Korrupsioni në Bashkinë e Fushë Arrëzit/ PD: Prokuroria të shikojë gërmën e ligjit, jo ngjyrën e parave!

13:08, 27/04/2023
A+ Aa A-

Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso ka denoncuar Bashkinë e Fushë Arrëzit, ku KLSH ka konstatuar korrupsion në të paktën dy raste, një tender për rikontruksionin e shkollës së Iballës dhe rikontruksionin e shkollës së mesme në qytet.

Në deklaratën nga selia blu, Kaso i bëri thirrje prokurorisë të veprojë duke parë gërmën e ligjit dhe jo ngjyrën e parave.

DEKLARATË PËR MEDIA E SEKRETARIT PËR ÇËSHTJET LIGJORE NË PD, IVI KASO

Bashkitë e Edi Ramës, të cilat ai i mori të gjitha pa garë para katër vitesh ose janë të falimentuara ose të korruptuara. Nga jugu në veri dhe nga lindja në perëndim, pushteti lokal i Rilindjes, edhe kur ushtrohet vetëm, pa pengesa dhe pa kontroll institucional të opozitës, dëshmon se nuk i shpëton dot oreksit të vjedhjes, madje I shtohet edhe më shumë babëzia.

Në një auditim të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Bashkinë Fushë-Arrëz në vitin 2019, me objekt aktivitetin përgjatë vitit 2017, dhe përputhshmërinë e prokurimeve me të ardhurat për periudhën 2017-2018, ka gjetur disa shkelje.

Dy më kryesoret janë një tender për rikontruksionin e shkollës së Iballës dhe rikontruksionin e shkollës së mesme në qytetin e Fushë Arrëzit.

KLSH pas konstatimeve për shkelje ka kërkuar kallëzim penal për dy kompanitë që, në bashkpunim me zyrtarët të bashkisë së Fushë-Arrëzit kanë shkelur ligjin.

Shkeljet e evidentara nga KLSH janë konsumim i veprave penale të falsifikimit të dokumenteve, dhe e gjitha është bërë me qëllim paraqitjen e të dhënave të rreme për të fituar tenderat.

Shkelja e bashkisë, sipas KLSH, është se nuk ka bërë verifikimet e duhura. Më saktë nuk ka dashur të bëjë verifikimet e rastit, sepse për tenderat të cilat i ka fituar bashkimi i dy kompanive, ka pasur dakordësi që më parë.

Pra, kemi të bëjmë, jo me shkelje nga pakujdesia, por me shkelje me dashje, me qëllime favorizimi dhe korrupsioni.

Kontrolli i Lartë i Shtetit për këto shkelje ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Shkodrës.

Dosja është rrotulluar në sirtarët e kësaj prokurorie për tre vjet dhe vetëm para katër muajsh kjo Prokurori ka vendosur t’ia kthejë mbrapsht dosjen Prokurorisë së Pukës.

Skema është e qartë: kompanitë fituese me dokumentacion të rrëmë, për të mbrojtur veten dhe bashkinë Fushë Arrëz kanë ndërhyrë në prokurorinë e Shkodrës që ta “mbyllin” çështjen, duke i’a kaluar Pukës, një territori që ata e njohin dhe mund ta kontrollojnë më lehtë.

Gjasat janë që ky të jetë një tjetër krim pa ndëshkim i bashkive të Edi Ramës, një tjetër rast kur taksat e pukjanëve të shkojnë në xhepat e oligarkëve të zonës.

I bëjmë thirrje Prokurorisë së Pukës që të ndjekë gërmën e ligjit jo ngjyrën e parave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco