Bosët e inceneratorëve zgjerojnë bizneset/ Ndryshon kompania që kanalizoi paratë te Blushi dhe mediat

Bosët e inceneratorëve zgjerojnë bizneset/ Ndryshon kompania që kanalizoi paratë te Blushi dhe mediat

10:13, 21/04/2023
A+ Aa A-

Nga Klodian Tomorri, oligarkia.al

Në datën 8 shkurt të këtij viti, Stela Gugallja çeli mbledhjen e asamblesë së ortakëve të kompanisë Consulting SE Partners. Në mbledhjen e zhvilluar online u morën disa vendime të rëndësishme, si miratimi i bilancit, kalimi i fitimit në rezervë për investime si dhe miratimi i dorëheqjes së Julia Demnerit nga posti i administratores së kompanisë.

Consulting SE Partners është një kompani që zotërohet nga dy aksionerë. Stela Guagallja ka 80 për qind të aksioneve, ndërsa 20 për qind zotërohen nga Julia Demneri. Kompania drejtohej nga dy administratorë, që ishin dy pronaret e saj. Por me vendimet e marra në mbledhjen e fundit të asamblesë, tani ajo do të drejtohet vetëm nga Stela Gugallja, e cila në dokumentet e mbledhjes së aksionerëve thotë se banon në Austri.

Në datën 1 mars, 550 kilometër larg Tiranës, në Sofie të Bullgarisë, Mirel Mërtiri hapi një kompani të re që quhet United Services Group EOOD.

Në fakt, kjo kompani është trashëgimtarja ligjore e një kompanie tjetër, të quajtur EM Capital Group, e cila fillimisht zotërohej në bashkëpronësi nga Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Eva Blushi.

EM Capital Group është një nga kompanitë që dyshohet se u përdor për të kanalizuar paratë e inceneratorëve tek një media kombëtare.

Pra, paratë shkonin nga inceneratori në Bullgari dhe më pas ktheheshin për të blerë mediat në Shqipëri. Por pas shpërthimit të skandalit të inceneratorëve dhe ekspozimit të EM Capital Group nga portali CNA, kompania është mbyllur për të rilindur me emrin e ri United Services Group. Por tashmë në kompaninë e re i vetmi pronar rezulton Mirel Mërtiri.

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, bosët e inceneratorëve vazhdojnë të bëjnë biznes si zakonisht në Shqipëri, por edhe nëpër Europë. Vendimet e asamblesë së ortakëve të kompanisë Consulting SE Partners u depozituan në QKB, në 23 mars të këtij viti. Nuk dihet nëse SPAK i ka administruar dokumentet, apo nëse Tatimet janë vënë në dijeni të këtyre veprimeve.

Consulting SE Partners rezulton në listën e kompanive që kanë borxh ndaj Tatimeve, por kompania vazhdon biznesin normalisht.

Lejimi i kompanive satelit të inceneratorëve që të vazhdojnë aktivitetin e biznesit normalisht nuk është i rastësishëm. Këto kompani janë hallkat, të cilat thithin paratë nga inceneratorët për t’i shpërndarë në transaksione zinxhir drejt llogarive të fshehta.

Në shkurt të vitit të kaluar, Monika Kryemadhi publikoi disa fatura sipas të cilave Consulting SE Partners dhe Zoto Consulting kishin marrë secila nga 1 milionë euro nga inceneratorët vetëm në dhjetor të vitit 2021. Të dyja kompanitë vazhdojnë të jenë aktive edhe pse pronarët e tyre janë në kërkim ndërkombëtar.

Pak javë më parë, kreu i SPAK Altin Dumani tha se hetimet e inceneratorëve janë të vështira pasi prokuroria nuk gjen dot se kush janë pronarët e vërtetë të tyre. Por teksa prokuroria kërkon pronarët, milionat e eurove vazhdojnë të largohen në drejtim të paditur përmes kompanive satelite. Dhe SPAK rri e vështron.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco