Avokati Jordan Daci: Pse Shqipëria e ka të pamundur të dalë nga Gjykata e Arbitrazhit

16:48, 10/04/2023
A+ Aa A-

A mund të dalë Shqipëria nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, siç paralajmëroi Edi Rama?

Avokati Jordan Daci tregon për Syri Tv pse kjo është pothuajse e pamundur. 

Deklaratën e Edi Ramës ai e quan aventurë të paimagjinueshme, ndërsa shton se Gjykata e Arbitrazhit është pjesë e Bankës Botërore.  

"Mundësia është pothuajse zero. Bëhet fjalë për një Konventë të vitit '66 që ne e kemi ratifikuar në '91. Bëhet gjalë për Gjykatën që është pjesë e grupit të Bankës Botërore, ku midis të tjerave Shqipëria varet çdo vit nga BB qoftë për garancitë që jep për kredimarrie dhe shumë elementë të tjerë që lidhen me buxhetin. Normalisht që çdo Konventë në parim është e denoncueshme që një shtet mund të heqë dorë, por kjo bëhet me vendim Kuvendi dhe së dyti, kjo nuk vlen për çështjet e regjistruara më parë dhe ka një periudhë mbrojtje 6 muaj. Nëse ne kemi me dhjetëra raste të tjera që kemi pranuar këtë juridiksion ky mund të jetë një shkak që brenda 6 muajve, kur njoftohet dalja, të kemi një numër papritur të çështjeve që dërgohen në Gjykatë. Kjo nuk është zgjidhja, për më tepër që raportet e Shqipërisë më vendet më të zhvilluara të botës nga SHBA dhe gjithë vendet e BE do të ishin në rrezik dhe do të bënte që Shqipëria të shndërrohej në një pikë ku do ishte rrezik maksimal për investimet e huaja. Nuk mendoj se do ishte hapi i duhur, përkundrazi duket një aventurë gati e paimagjinueshme që nuk besoj se një njeri normal mund ta marrë", u shpreh ai. 

Në një lidhje me skype për edicionin e pasdites në Syri Tv, me moderatoren Armela Ferko, Daci flet edhe për 110 mln eurot që fitoi Francesco Becchetti dhe si do t'i marrë ai paratë. 

"Gjithë taksat e kalimit të hapësirës ajrore të Shqipërisë si pasojë e fluturimit të mjeteve tregtare nuk do të derdhen më në buxhetin e Shqipërisë por do t'i marrë Becchetti, siç ka marrë më përpara General Motors kur fitoi gjyqin 30 mln dollarë me qeverinë "Nano" për trenin elektrik Tiranë-Durrës".   

Avokati Jordan Daci thotë gjithashtu se gjyqi në arbitrazh do të fitohej nëse Shqipëria do të ishte më e përgatitur. 

"Nëse Shqipëria do të ishte shumë herë më e përgatitur, do të duhet të kishte mbikëqyrur sicc duhet kontratat, por edhe do të kishte bërë një mbrojtje të duhur në arbitrazh, nuk është e pamundur të mendohej varianti që Shqipëria ta kishte fituar këtë proces. Siç ka fituar, rasti i fundit me kompaninë Behase që bëri zgjerimin e rrugës në Qafë Thanë dhe kjo ka qenë falë avokatisë së shtetit tonë që punuan fort për ta fituar. Për gjyqet e tjera me të cilat Shqipëria mund të përballet së shpejti janë me zero mundësi për t'u fituar për arsye se Shqipëria rri në vendnumero, nuk bën asgjë sa i përket mbikëqyrjes së zbatimit të kontratave. Kompanitë e huaja duke shfrytëzuar njohuritë më të shumta, por edhe saktësinë e veprimeve që ata bëjnë për shkak të ndihmës që u japin studiot më të mira ligjore e vendosin gjithmonë në vonëse Shqipërinë dhe përgatisin terrenin për të fituar lehtësisht çdo proces të mundshëm. Një qeveri me mend në vend që të mendonte se si të paguante këtë detyrim, do të duhej të bënte një auditim të të gjitha kontratave ekzistuese që janë një minë me sahat për interesat ekonomike të vendit dhe nga momenti në moment mund të përballemi me arbitrazhe shumë të tjera të cilat do ta vinin në pamundësi financiare qeverinë e Shqipërisë për të ushtruar detyrën", tha Daci. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco