Kosovë/ Humb shansi për heqjen e vizave në nëntor

Kosovë/ Humb shansi për heqjen e vizave në nëntor

16:40, 03/03/2023
A+ Aa A-

Institucionet e BE-së më në fund morën vendimin për të zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, por jo pa vendosur një kusht. Atë e lidhën me funksionalizimin e sistemin ETIAS, e cila po të futej në punë sipas planit, kosovarët do të udhëtonin pa viza që në nëntor të këtij viti. Por, kjo tashmë s’mund të ndodhë.

Drejtoria e Përgjithshme për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme në BE ka shtyrë në heshtje datën e fillimit të ETIAS nga nëntori 2023 në 2024 përmes një përditësimi në faqen e saj të internetit. Asnjë arsye nuk u dha për këtë shtyrje të fundit.

Megjithatë, një përgjigje më të gjerë për këtë vendim e ka dhënë zëdhënësja e Komisionit Europian për Çështjet e Brendshme, Migracionin dhe Sigurinë e Brendshme, Anitta Hipper.

Ajo thotë se po synojnë modernizimin e sistemit të kontrollit të udhëtarëve që hyjnë brenda zonës Schengen për të zvogëluar rreziqet dhe për të pakësuar pritjet nëpër kufij. Prandaj, ajo thotë se u desh shtyrja.

Sidoqoftë, kosovarët zyrtarisht nuk do të mund të përjetojnë liberalizimin në nëntor të 2023-ës. Por, pastaj, vonesat e mëtejme në funksionalizimin e ETIAS nuk do ta përcaktojnë fatin e lirisë së lëvizjes për ta. Sipas marrëveshjes që ishte dakorduar në institucionet e BE-së, udhëtimi pa viza për kosovarët do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të sistemit ETIAS dhe nëse vonohet funksionimi i këtij sistemi, liberalizimi do të ndodhë jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Në po këtë vit, Hipper thotë se janë pritjet që të lëshohet në funksionim ETIAS.

“Ne presim që sistemi IT-së, që mundëson funksionimin e ETIAS, do të jetë i disponueshëm gjatë vitit 2023. Data aktuale e pritshme që ETIAS të jetë plotësisht funksionale është 2024-ta”, tha ajo.

Pse u vonua ETIAS?

“Ne jemi duke modernizuar sistemin tonë të menaxhimit të kufirit të BE-së. Të sigurohesh që këto sisteme të mund të komunikojë mes vete është thelbësore. Ne jemi duke përmirësuar Sistemin e Informacionit Schengen, i cili do të nisë shumë shpejt”, tha ajo.

Funksionalizimi i ETIAS u shty edhe për shkak të një sistemi tjetër që kontrollon udhëtarët që hyjnë në BE dhe përmes të cilit më s’do të ketë kontroll manual të pasaportave.

“Ne jemi duke ndërtuar Sistemin e Hyrje/Daljeve – për të mirëpritur miliona vizitorë në Europë. Duke iu thënë ditën e mirë kontrolleve manuale të pasaportave dhe mirëdita për kontrollet elektronike, duke shpejtuar radhët dhe përmirësimin e sigurisë”.

Roli i ETIAS – Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit – është të ndihmojë në identifikimin e rreziqeve të mundshme të sigurisë në mesin e udhëtarëve pa viza, përpara se të arrijnë kufijtë e BE-së.

Hipper thotë se ETIAS po zhvillohet ngushtë me Sistemin e Hyrjes/Daljes (EES).

Konkretisht, kjo do të thotë që ETIAS mbështetet në të dhënat e siguruara nga EES për identifikimin e rreziqeve (të tilla si siguria, migrimi i parregullt ose rreziqet e larta të epidemisë).

“Suksesi i këtyre sistemeve varet sa janë në gjendje të komunikojnë mes vete. Ja pse është jetike që ne t’i bëjmë të ndërveprueshëm sa më shpejt që mundemi”.

Afati kohor i rishikuar për hyrjen në funksion të Sistemit të Hyrje/Daljes është i lidhur me disa faktorë, të cilat përfshijnë vonesat në zhvillimin e sistemit në nivelin qendror nga kontraktori, por edhe në vendet anëtare kur bëhet fjalë për vonesat në përgatitjen e pajisjeve të nevojshme për të përdorur EES në pikat kufitare.

“eu-LISA, e cila administron kontratën, tashmë ka aktivizuar dënimet përkatëse dhe Komisioni është takuar vazhdimisht me konsorciumet për të adresuar shqetësimet”, thotë Hipper.

Ajo shtoi se hyrja në funksion e ETIAS mund të bëhet vetëm 5 deri në 6 muaj pas hyrjes në funksion të Sistemit të Hyrje/Daljeve.

“Afati kohor për hyrjen e plotë në funksionimin e EES do të rishikohet në përputhje me rrethanat dhe do të diskutohet në bordin menaxhues të eu-LISA dhe më pas në Këshillin e Çështjeve të Brendshme dhe Drejtësisë në qershor”.

Hipper tha se data e saktë se kur ETIAS do të nisë punën do të komunikohet sapo të jetë në dispozicion.

Ajo shton se Komisioni do të vazhdojë të punojë shumë ngushtë me shtetet anëtare dhe eu-LISA për të minimizuar ndikimin e vonesave.

“Zbatimi i EES është gjithashtu në rendin e ditës dhe do të diskutohet në Këshillin e ardhshëm për Schengen më 9 mars”, përfundon Hipper.

Marrëveshja për vizat e Kosovës, për të cilën u dakorduan Parlamenti Europian, Këshilli dhe Presidenca e BE-së, tashmë do të shkojë për t’u votuar në Parlamentin Europian.

Në një përgjigje më herët, Parlamenti Europian pati thënë se për dosjen e Kosovës do të votojë në në seancën e dytë plenare të marsit ose të parën e prillit. Në faqen zyrtare të PE-së, seanca e dytë plenare planifikohet të mbahet më 29 dhe 30 mars, ndërsa ajo e prillit do të mbahet më 17 deri më 20.

Pas ta kryejë obligimin e tij PE, hapi i radhës për liberalizimin e vizave është vota e ambasadorëve të BE-së që votojnë me shumicë të thjeshtë për këtë çështje. Pas kësaj, Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave. Akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Europian, Këshilli Europian, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian. Më pas, vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare dhe liberalizimi i vizave hyn në fuqi në afatin e dakorduar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco