Hysni Sharra: Edhe Vlora po boshatiset, Rama dhe sekti i tij po i largojnë njerëzit duke u vrarë shpresat

13:27, 03/03/2023
A+ Aa A-

"Nga Vlora dhe në emër të Vlorës e vlonjatëve ju garantoj se Rama e sekti i tij përgjigjen do ta marrin në 14 maj!" - Me këtë premtim të fortë doli sot para protestuesve në Tiranë, Hysni Sharra, kandidati i opozitës për bashkinë e Vlorës. 

"Vij sot këtu përpara jush nga Vlora, nga qyteti i mrekullueshëm, të cilit prej 9 vitesh i është shkatërruar identiteti, - tha ai, - i është shkatërruar trashëgimia dhe historia. Sot Vlora nuk njihet më! Sheshi i Flamurit u përgjysmua e shkatërrua sipas delirit e vulës së kryedelirantit. Dikur dukej Monumenti i Pavarësisë dhe Shtiza e Flamurit.

Sot Monumenti i Pavarësisë ngrihet mbi disa shkallë të lyera me ngjyrë të zezë! Për vlonjatin, Sheshi i Flamurit ka qenë dhe është shtëpia e shpirtit të shqiptarëve, britmë, reflektim. Ndryshimi, zhvendosja, zhdukja e simboleve nga vendet historike, nuk janë vetëm tallje apo teka të një njeriu mendjemadh, e vanitoz që ka vendosur të ndërtojë një histori tjetër e të shpikë simbole të tjera nga ato që na kanë lënë të parët. Është një akt i pastër tradhtie!

Edhe Sheshi i Skelës është mbushur me piramida dheu e betoni për Liderin Global.

Të dashur miq! Vlora nuk ka më idenditet!

Në mendjen e krydelirantit të Shqipërisë, monumentet e heronjve, Teatri, Stadiumi, Sahati, parqet, Shkolla Tregtare, çdo gjurmë e historisë, traditës e trashëgimisë nuk duhen më! Të prishen!

Madje këtij sekti nuk i duhen as vlonjatët e as shqiptarët. Dhe Vlora po boshatiset. Rinia po largohet, po largohen dita- ditës dhjetëra e qindra të rinj. Sepse Edi Rama dhe sekti i tij që qeveris këto 9 vite është duke i larguar përdhunshëm nga Vlora dhe Shqipëria duke ua vrarë përditë shpresat. Përditë duke i varfëruar. Duke i bërë të ndihen të huaj në qytetin e tyre. Përditë ua bën qytetin të pajetueshëm!

Sepse Vlora sot është peng i abuzimit, i PPP-ve dhe aferave korruptive të miqve të Ramës.

Vlora sot është në mëshirë të fatit.

Qytet i bukur e i mrekullueshëm nga natyra, por i shëmtuar nga indiferenca vrastare e pushtetit!

Me ujë, sa mund të furnizohet e gjithë Shqipëria, por vlonjatët kanë vetëm dy orë ujë në ditë, ndërkohë që ujin e pijshëm e blejnë.

Me bregdetin më të bukur, por me turizmin e asfiksuar, pasi investimet në turizëm mungojnë.

Me burime të pashtershme energjie të riciklueshme, por Vlora dhe Shqipëria sot përballen me një aferë më të rëndë korruptive, se e incereratorëve, atë të TEC-eve lundruese, të cilat jo vetëm shkatërrojnë florën, faunën, ndotin bregdetin e Vlorës, por u rëndojnë xhepave të taksapaguesve shqiptarë.

Të dashur miq!

Prej 9 vitesh Shqipëria qeveriset nga ata që program kanë vetëm timonin, defin, tepsinë.

Prej 9 vitesh qeveriset nga ata, që në mënyrë të ndërgjegjshme vrasin të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë, prej atyre që nuk e kanë për gjë të vrasin të ardhmen europiane të Shqipërisë e shqiptarëve, duke vjedhur, grabitue e rrezikuar rëndë demokracinë e pluralizmin.

Prandaj është detyra jonë që të gjithë atyre që po i bëjnë këtë gjëmë e gjenocid Shqipërisë të ikin një ditë me bishtin në shalë, të dëbuar nga ne, me turpin e mëkatin e zhbërjes dhe shkatërrimit të Historisë, demokracisë e të ardhmes sonë!

Është detyra jonë t’i dalim zot Shqipërisë, të ardhmes, pluralizmit. Nga Vlora dhe në emër të Vlorës e vlonjatëve ju garantoj se Rama e sekti i tij përgjigjen do ta marrin në 14 maj!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco