'Ka 3 vjet që nuk takon dot qytetarët'/ Berisha: Veliaj vodhi 54 milionë euro me plehrat

19:32, 07/02/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PD, Sali Berisha akuzon Erion Veliajn se zhvati 54 milionë euro me plehrat, ndërsa te landfilli i Sharrës nuk ka djegës dhe as nuk bëhet seleksionimi i mbetjeve. 

Gjatë një takimi me anëtarë të FRPD, Berisha tha se kryebashkiaku i Tiranës ka 3 vjet që nuk takon dot qytetarët. 

"Kjo ndodh para së gjithash sepse Edi Rama, po vret me regjimin e tij shpresën tek shqiptarët. Unë ju garantoj ju se edhe keni dalë dhe do të dilni e të shifni, por vend më të begatë dhe me pasuri përrallore se ky vend, nuk do të gjeni kurrë. Kudo që të shkoni. Megjithatë ky vend nga Edi Rama dhe regjimi i tij është shndërruar  në një tokë të mallkuar. 

Pasuritë e tij janë shndërruar në një mallkim për qytetarët shqiptarë. Fondet e buxhetit të tij, në një ndëshkim për qytetarët shqiptarë. E gjitha kjo, sepse ky grup kriminal që qeveris sot me në krye Edi Ramën, nuk ka asnjë interes tjetër, as kombëtar, as shoqëror, as social, përveç se interesit të pushtetit dhe pasurimit të tyre. Pikërisht për këtë arsye, këta vjedhin në 9 muaj 1.1 miliardë euro. 

Ai skandali që ka shpërthyer i Klosit është vetëm një simbol i asaj sa vjedhin këta. Do tu jap një shembull të freskët. Ju keni një person kryetar bashkie, i cili ka 3 vjet që nuk takon dot qytetarët,  por i mbledh nëpër salla apo zyrat e bashkisë me përzgjedhje. Por ka 6 vite që vjedh për çdo ton mbetje që krijohet në qarkun e Tiranës, 18 euro fut në xhep duke ua marrë qytetarëve shqiptarë. I tarifon sikur digjen, nuk digjet asnjë kilogramë. Të gjitha depozitohen dhe ky u merr në kundërshtim me kontratën, 29 euro, 18 euro ky i vjedh, i çon ofshore, mundet dhe në Iran. 

Problemi është se baballarët tuaj, motrat dhe nënat tuaja që kanë një biznes të vogël, paguajnë trefish taksën e pastrimit. E kjo është vetëm njëra anë. Pra që të gjithë e shohin që fusha e Sharrës nuk ka djegës, nuk bëhet seleksionimi, por ai vazhdon nga studio në studio, në një kohë kur e ka vendin nga qelia në qeli, sikur nuk ndodh asgjë. Gjer tani janë bërë 54 milionë euro, minimumi të vjedhura vetëm aty.
Qindra milion të vjedhura me djegësat, pasuri përrallore"
, u shpreh Berisha.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco