SYRI TV/ Protesta dhe primaret, Meta takohet me Berishën: Sigurinë në vend e kërcënon vetëm mafia

14:37, 30/11/2022
A+ Aa A-

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, zhvilloi një takim më kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, në selinë blu, takim që vjen para mbajtjes së primareve dhe protestës së 6 dhjetorit. Në përfundim të bisedës që zgjati për rreth 1 orë, ish-presidenti Meta deklaroi për mediet se opozita është për një Shqipëri europiane dhe jo për regjim policor.  Kreu i Partisë së Lirisë  shtoi se sigurinë e Europës nuk e kërcënojnë qytetarët, por vetëm mafia, që përdor shtetin për ta kthyer vendin tonë në një bazë të logjistikë të mafies ndërkombëtare.

Nga SYRI TV

Pak ditë para zhvillimit të primareve për nxjerrjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 14 majit dhe protestës së 6 dhjetorit, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, zhvilloi një takim me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, në selinë blu. 

Në përfundim të bisedës mes Berishës e Metës, ku të pranishëm ishin edhe Flamur Noka e Petrit Vasili, kreu i Partisë së Lirisë u shpreh se protesta e 6 dhjetorit do të mbahet para godinës së Kryeministrisë, pavarësisht vendimit të Policisë për të mos lejuar qytetarët që të protestojnë përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”:

“Kjo nuk është çështje policie, është çështje Kushtetute...Jemi për Shqipërinë europiane, jo për regjim policor...Në datën 6, përballë përgjegjësit për kapjen e shtetit dhe për minimin e të gjithë procesit të integrimit europian të Shqipërisë për vite të tëra”.

Ish-Presidenti Ilir Meta pati edhe një përgjigje sa i takon sigurisë së Samitit të 6 dhjetorit:  “Sigurinë e Evropës e kërcënon vetëm mafia, - theksoi ai, -  që përdor shtetin për ta kthyer Shqipërinë në një bazë logjistike të mafies ndërkombëtare për të gjitha llojet e trafiqeve me në krye kokainën. Nuk vjen asnjë problem i sigurisë nga qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë që duan një Shqipëri europiane dhe që duan sot dhe asnjë ditë më vonë.”

Ky është takimi i dytë mes Metës e Berishës, pas caktimit të datës së  protestës, ditë kur në Tiranë do të zhvillohet Samiti i liderëve të BE-së me Ballkanin Perëndimor.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco