VIDEO-SYRI TV/ 'Nëse merr 130 €, nuk je i varfër', qytetarët të revoltuar me ministren e Ramës

19:35, 18/03/2022
A+ Aa A-

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka befasuar me deklaratën e saj se në Shqipëri një person që merr të ardhura 130 apo 140 euro në muaj, nuk mund të konsiderohet i varfër. Kjo deklaratë vjen në një kohë krize, ku qytetarëve po u bëhet gjithnjë e më shumë jetesa për shkak të rritjes së çmimeve. Syri Tv pyeti grupmosha të ndryshme qytetarësh nëse u del kjo shumë për të jetuar, por ata e kanë cilësuar si tallëse deklaratën e ministres së Ramës. 

SYRI TV

Në një kohë që çmimet kanë njohur rritje të madhe, për ministrat e qeverisë Rama, 130 apo 140 euro janë të mjaftueshme e nuk mund të konsiderohesh i varfër.

Por kjo deklaratë ka ngjallur një valë reagimesh të qytetarëve, pasi ajo shumë është e pamjaftueshme edhe për të paguar veç taksat ndaj shtetit apo detyrimet për faturat e energjisë apo ujit.

Syri Tv ka pyetur sot qytetarët nëse e kanë të mjaftueshme 5 mijë lekë në ditë për të jetuar, siç pretendon ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, por ata e kanë cilësuar këtë deklaratë si tallje me problemet që ata po kalojnë. 

"Vetëm bukë mund të blejmë me kaq. 5 mijë lekë në ditë nuk janë asgjë. Si mund të tallesh me familjet shqiptare? Është turp", shprehet një qytetar. 

"Çmimet janë të larta. Siç janë çmimet, të jenë edhe pagat. Politika është e pasur, populli është i varfër", thotë një tjetër. 

"Ajo harxhon 130 euro në ditë dhe i ka pak, nuk i dalin. Minimumi jetik është 270 mijë lekë. Dje dola në pazar, bleva dy ushqime dhe harxhova 30 mijë lekëshin e ndihmës që do të na japë ai i gjati. Nuk e di si e ka thënë atë, ose do të ketë thithur ndonjë gjë", shprehet një pensionist. 

"Me 5 mijë lekë në ditë asgjë s'mund të bësh. Do të marrësh një 1 kg portokall dhe do ta ndash përgjysmë. Me kursim të madh, çdo gjë përgjysmë. Merrnim një kg, tashmë do të marrim gjysmë kg", thotë një i moshuar. 

"Pse po më pyesni mua? Pyesni Lali Erin, ai merr lekët te xhepi, kurse ne punojmë. Ku dalin 140 mijë lekë? Unë 140 mijë lekë pension kam. Pensionin ma kanë falur fëmijët, më thonë mbaje ti babi pi ndonjë kafe, punojnë fëmijët për mua, se i bie të ngordh", është reagimi i një tjetër qytetari. 

"Bën shaka. Ne s'kemi qeveri, akoma merreni me këto punë ju? Asaj nuk i dalin për karburant aq (140 euro në muaj). Unë kampunuar 45 vjet në arsim. Marr një pension aq sa thotë ajo. Kam punuar me plehra organike, mineralë, plesticide deri me lëndë radioaktive, në bashkëpunim me institutin e Fizikës Bërthamore dhe marr sa gjysma e kapterit. Merreni me mend si është gjendja. Tallen me ne. Është fatkeqësi që kemi këta drejtues".

"Po ia jap unë pensionin tim dhe të gruas, ta kalojë ministrja muajin, sa i del. Pse nuk ul rrogën e vet ajo?", shprehet i revoltuar një tjetër qytetar. 

Jo vetëm nga të moshuarit që janë kategoria më e prekur nga kriza, por kjo shumë është konsideruar si e pamjaftueshme nga të gjitha grupmoshat.

Por duket se ministrja Ibrahimaj nuk është në koherencë as me statistikat shtetërore apo me Bankën Botërore, që në raportet e saj edhe minimumin jetik e ka më të lartë se shifra e deklaruar nga ministrja. 

/ Fabjona Pasho

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco