Pazare, presion apo lojë/ Prapaskenat e ndryshimeve kushtetuese

Pazare, presion apo lojë/ Prapaskenat e ndryshimeve kushtetuese

10:13, 01/11/2021
A+ Aa A-

Sot (e hënë 1.11.2021) nën drejtimin e  kryetares së Kuvendit, nis procedura për ndryshimet kushtetuese, të depozituara nga socialistët dy javë më parë. “Ju njoftojmë se nesër (sot), më datë 1 nëntor, ora 14:00, nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, do të thirret mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku do të prezantohet nisma e një grupi prej 39 deputetësh të shumicës parlamentare ‘Për një ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 ‘Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Kuvendit. Bëhet fjalë për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut, por edhe pse ka një debat të madh juridik dhe politik për këtë çështje, Partia Demokratike ende nuk ka një qëndrim.

Pazar apo presion?

Miratimi i kësaj nisme të deputetëve socialistë për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut kërkon 93 vota, të cilat socialistët nuk i kanë, ndaj duhet domosdoshmërisht një konsensus me Partinë Demokratike. 

Ndërkohë që heshtin në mënyrë enigmatike për zgjatjen e vettingut, demokratët kanë bërë paralelisht propozimet e tyre për ndryshime të tjera kushtetuese siç është reforma territorial, ajo zgjedhore dhe vettingu i politikanëve.

Duket se të katërta çështjet do çojnë në mënyrë të pashmangshme drejt një tryeze “pazari”, ku secila palë do të japë dhe do të marrë si kompensim maksimumin.

Prapa perdeve

Nuk ka ende asnjë informacion për çfarë do të diskutojnë ditën e sotme në këtë mbledhje përfaqësuesit në parlament të PS-së dhe PD-së për draftin e vetingut, po socialistët kanë bërë hapin e parë duke i ftuar, ose më saktë duke i detyruar demokratët që t’u bashkohen në diskutimin zyrtar të kësaj nisme. 

Kryeministri Rama, së fundmi ka deklaruar se nuk ka marrëveshje për çështjen e shtyrjes së vettingut duke lënë për të kuptuar se PD është e detyruar që të dakordësohet në këtë çështje.

Por çfarë po ndodh prapa perdeve?!

De fakto demokratët janë para një presioni nga ana e PS-së; nëse kërkojnë reforma zgjedhore dhe territorial, atëherë duhet të bashkohen për të miratuar këtë ndryshim të Kushtetutës që ka të bëjë me vettingun. Këtë siç e thamë më lartë e ka shprehur prerë kryeministri Edi Rama duke deklaruar se, “zgjatja e vettingut është domosdoshmëri, nuk është diçka për t’u negociuar”.

Por pse e mban këtë qëndrim të prerë dhe “të pa negociueshëm” Rama, kur nuk i ka 93 votat që kërkonë ndryshimi i Kushtetutës për organet e vetingut?!

Sepse në parim kanë lëshuar në shumicën e gjërave që po kërkon Basha dhe se pro shtyrjes së vettingut, po investohen ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së.
Sot do të duket qartë, që nëse PD në mbledhjen e kryesuar nga Lindita Nikolla, PD do të japë dakordësinë në parim, atëherë është ecur para në “pazarin” e madh që pritet, edhe për çështjet e tjera të propozuara nga PD të cilat gjithashtu kërkojnë ndryshime kushtetuese dhe të paktën 93 vota.
Nga ana tjetër nëse PD nuk e mbështet sot propozimin e socialistëve, kjo do të çonte në bllokimin edhe të drafteve që kjo parti ka depozituar për vetingun në politikë; hartën e re territoriale, ndryshimet kushtetuese që lidhen me zgjedhjet dhe vettingun në politikë të cilat Rama i ka pranuar në parim.

Argumentet e PS, PD hesht

Ndërkohë që PD zyrtare vetëm ka heshtur, PS ka dhënë argumentet e saj se përse kërkohet zgjatja e mandatit të KPK-së dhe KP-së (organet e vettingut) deri në 31.12.2024.
Skenari i parazgjedhur kushtetues (vazhdimi i rasteve të mbetura nga Këshillat – Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë) mbart rrezikun që Këshillave do t’u duhen afërsisht një vit për të vendosur rregullat dhe procedurat e tyre të brendshme dhe për të ndërtuar kapacitetin për marrjen përsipër të këtyre detyrave, ndërkohë që kanë detyra të rëndësishme për të kryer në menaxhimin e gjykatave dhe zyrave të prokurorisë gjatë tranzicionit, ndërsa verifikimi/procesi i vetingut është në vazhdim.

Zgjatja e afatit të mandatit të KPK-së dhe KP-së, sipas propozimit të nismës ligjore, do të ishte dhe në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias në opinionin CDL-AD (2016)009 në situatën aktuale; ndërsa vazhdimi i rasteve nga Këshillat do të binte ndesh me këtë opinion pasi afati i përfundimit të procesit është më i gjatë se zgjidhja e propozuar nëpërmjet nismës.

Anëtarëve të Këshillave dhe SPAK u mungon përvoja përkatëse në procesin e rivlerësimit dhe do duhet të familjarizohen me këtë proces për konsolidimin e procedurave të hetimit administrativ dhe garantimin e një procesi të rregullt ligjor. Në këto kushte, ekziston edhe rreziku i krijimit të mospërputhjeve, pra standarde të ndryshme për vlerësime të ndryshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco