Zgjatja e Vetingut, si hi syve për legjitimimin e kolapsit dhe kapjes së drejtësisë!

Zgjatja e Vetingut, si hi syve për legjitimimin e kolapsit dhe kapjes së drejtësisë!

13:10, 30/10/2021
A+ Aa A-

Nga Petrit Vasili

Shtyrja e afatit të KPK së Vetingut është bërë tashmë dukshëm një FAKE prioritet për drejtësinë.

Them FAKE prioritet, sepse ka zero rrezik për vazhdimësinë e Vetingut, pasi kjo vazhdimësi është siguruar falë mekanizmave dhe insitucioneve të parashikuar qartë në Kushtetutë, për ta bërë këtë.

Pra Vetingu, nuk rrezikon të ndalet as edhe një ditë të vetme.

Por "meraku" i vetëm i dashnorëve të reformës është vetëm që të vijojnë të njëjtët persona, që siguruan Vetingun e kapur, selektiv dhe me dy standarte, që i duhet me çdo kusht rilindjes.

Ndaj zhurma artificiale sikur kyçi i ecurisë dhe suksesit të reformës varet nga zgjatja e KPK së Vetingut është, vetëm një devijim i qëllimshëm nga problemi shumë i rëndë i kolapsit të drejtësisë dhe kapjes së saj.

Zhurma për zgjatjen e KPK së Vetingut është gjithashtu, krijimi i zahiresë së nevojshme për pazare të errëta, që i shërbejnë vetëm rilindjes në pushtet dhe klientëve të saj politikë dhe ekonomikë, në dëm të qytetarëve, që të dëshpëruar nga padrejtësia braktisin me çdo lloj forme vendin.

Kolapsi i sistemit të drejtësisë është realitet.

Faktet jane tronditëse, sepse qoftë gjykatat e të gjitha niveleve ashtu edhe prokuroritë, janë të kolapsuara.

Dhjetra mijra shqiptarë nuk kanë asnjë shpresë për të marrë drejtësi dhe dosjet e tyre janë bllokuar me vite dhe do vazhdojnë të jenë të tilla, edhe për një kohë tepër të gjatë.

Asnjë fjalë, asnjë zgjidhje, asnjë preokupim për kolapsin e sistemit, i cili duket qartë që do të vijojë i tillë për vite të tëra.

As shashkat si Harta e re Gjyqësore, që është thjesht dhe vetëm një riciklim akoma më i keq i kolapsit ekzistues, nuk është zgjidhje.

Asnjë fjalë, asnjë zgjidhje, asnjë preokupim për kapjen e SPAK-ut dhe mbretërimit të pandëshkueshmërisë së qeverisë, ku çështjet e Teatrit, Inceneratorëve Beçhetit, Portit të Durrësit buçasin.

Jepini fund teatrit politik, me zgjatjen e afatit te KPK së Vetingut.

Qytetarët presin drejtësi.

Qytetarët nuk mund të pranojnë një sistem drejtësie të kapur, të kolapsuar dhe shumë më të dobët në çdo pikëpamje se ai që lamë pas.

Pandëshkueshmëria e qeverisë dhe drejtësia e pamundur për qytetarin e thjeshtë, këto janë të vërtetat e drejtësisë aktuale.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco