Karriera e Lleshit: nga ZV i flakur si 'spiun', në Këshilltar i dështuar dhe prapë ZV!

Karriera e Lleshit: nga ZV i flakur si 'spiun', në Këshilltar i dështuar dhe prapë ZV!

14:17, 06/11/2018
A+ Aa A-

Nga një ish-ushtarak në pension, sapo hyri në zyrën e kryeministrit në vitin 2013, edhe bazuar “ në fjalët e mira të Ismail Kadaresë”, Edi Rama e mori Sandër Lleshin si këshilltar për çështjet e Sigurisë.

Në një intervistë të fundit vetë Lleshi ka shpjeguar, se në çfarë konsistonte detyra e tij pranë Edi Ramës gjatë këtyre 5 viteve. Sipas tij puna e tij si këshilltar ishte, që të monitoronte dhe  koordinonte pranë kryeministrit funksionimin e ministrisë së Brendshme e Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ, Ministrisë së Mbrojtjes dhe organeve të tjera ligj-zbatuese, në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të drogës etj.

Në fakt nëse ka një dështim total të qeverisë Rama dhe të vetë kryeministrit Rama, (i certifikuar tashmë edhe nga raportet e ndërkombëtarëve) është pikërisht, lufta kundër krimit të organizuar shqiptarë, kanabisimi i organizuar i vendit, vënia e radarëve të ushtrisë në shërbim të trafikantëve etj, etj. Në këtë këndvështrim puna e Lleshit si këshilltar për këto çështje, ka shumë pak opsione.

 Ose Edi Rama nuk e ka dëgjuar fare për situatën kriminale në vend; ose Lleshi nuk i ka treguar të vërtetën; ose edhe më keq, e ka këshilluar shtrembër pasi tashmë dihet që kryeministri, asnjëherë nuk e ka pranuar realitetin deri në momentin që kanë folur dhe vepruar ndërkombëtarët. 

Gjithashtu edhe në planin e integritetit personal, Sandër Lleshi, fut ujë gjithandej. Që në daljen e parë publike si “Ministër i Brendshëm” dhe i përzgjedhur nga kryeministri pa pyetur asnjë forum të partisë, ai u shfaq si një kukull e bindur e Edi Ramës dhe jo si “shërbëtor” i ligjit dhe detyrës së rëndësishme që po i ngarkohej.

“Propozimi ishte absolutisht krejt i papritur, e kam marrë vesh besoj rreth 8 orë para jush. Nuk kam pasur kurrë ambicie politike, po të kisha pasur do t’i isha bashkuar ndonjë formacioni politik. Propozimi i kryeministrit Rama erdhi krejt i papritur, me të punoj prej 5 vitesh si këshilltar për Sigurinë Kombëtare. Propozimi nuk mund të kundërshtohej për faktin se vinte nga Edi Rama dhe për faktin se jam ushtarak dhe jam mësuar që sfidave të mos u iki”, i habiti të gjithë  Lleshi gjatë një mini-interviste për Blendi Fevziun në “Opinion”.

Edhe gjatë 7 ditëve që pritej dekretimi i emrit të tij nga ana e presidentit Ilir Meta, Lleshi tregoi se përfaqëson një kopje të shëmtuar të Edi Ramës. Ftesës për takime informale njohëse, përpara se Ilir Meta të hidhte firmën e tij, ai ju përgjigj me një arrogancë të shembull vetëm për Ramën, duke refuzuar dhe thënë se do të takohej me kreun e shtetit (njëkohësish komandant i përgjithshëm i Ushtrisë dhe kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare), vetëm ditën kur do të dekretohej si ministër.

Gjatë vitit 2012 në kohën e një krize të paprecedentë për të zgjedhur presidentin e vendit, mes një vargani të gjatë emrash u shfaq edhe emri i Sandër Lleshit, i hedhur në treg nga shkrimtari Ismail Kadare.

Kjo është pik-referenca, që Rama e përdori atëherë për ta marrë si këshilltar të vetin dhe sot për ta katapultuar, në krye të ministrisë së Brendshme.

“Emrin e Sandër Lleshit e kam dëgjuar për herë të parë nga Ismail Kadare, i cili ia sugjeroi palëve si një kandidaturë të spikatur për President të Republikës një vit më parë. Më vonë munda ta çmoj përmes mediave kur denoncoi publikisht rrënimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe degradimin e rëndë të drejtimit të ushtrisë sonë. Dhe njohja nga afër erdhi kur pas zgjedhjeve e thirra për ta dëgjuar lidhur me gjithë çka kishte denoncuar publikisht, si edhe me idetë e tij për të ardhmen e dikasterit qendror të mbrojtjes si edhe të vetë Forcave të Armatosura natyrisht. Pas disa komunikimesh kuptova besoj, arsyet pse shkrimtari i shquar e kishte menduar si president të denjë për vendin këtë gjeneral të panjohur. I edukuar në perëndim, njohës i mirë i historisë dhe bartës i modestisë intelektuale që karakterizon të diturit, zotërues i thellë i fushës jo vetëm nga librat po edhe nga rrugëtimi i një karriere të gjatë – nisur si fëmijë i një familjeje të varfër nga veriu në derën e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” dhe ndërprerë brutalisht në pozicionin e zëvendës Shtabit të Përgjithshëm nga arroganca e injorancës së pushtetit në ikje , Sandër Lleshi ka pranuar të jetë këshilltari im për mbrojtjen në kryeministri”, shkruante Rama në vitin 2013.

Në fund të këtij shkrimi plot elozhe Rama na thotë se, “Sandër Lleshi ka pranuar të jetë këshilltari im për mbrojtjen në kryeministri”. Por tani pas 5 vitesh, pikërisht në kohën që i duhet ta çojë pako në vend të Fatmir Xhafajt, ai na del “këshilltar për Sigurinë”!

Gjithsesi; cila  është e vërteta e “luftës denoncuese” për rrënimin e ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura në kohën e qeverisë Berisha kur edhe u futëm në NATO, që na paska bërë Lleshi kur ishte Zv. Komandant i Shtabit të Përgjithshëm, sipas Ramës?

Prej vitit 2010, në kohën e qeverisjes Berisha, i emëruar nga ish-presidenti Bamir Topi, Sandër Lleshi mori postin e Zv. Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, për tu liruar nga detyra dhe uniforma njëkohësisht, prej ministrit të Mbrojtjes në atë kohë, Arben Imami në vitin 2012.

Edi Rama në deklaratën e mësipërme të vitit 2013, kur sapo ishte bërë kryeministër thotë se e vlerëson Lleshin, sepse “denoncoi publikisht rrënimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe degradimin e rëndë të drejtimit të ushtrisë sonë”. Në fakt nuk figuron askund ndonjë deklaratë publike e tij për “degradimin e ushtrisë”. Kjo edhe sepse nuk ja lejonte ligji ndërkohë që mbante uniformën e gjeneralit dhe detyrën e rëndësishme të zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

E vërteta është se Lleshi ka bërë shumë shërbime në atë periudhë, për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, kur ishin në opozitë. Në një emision të fundit në “Report TV” drejtuar nga gazetari, Denis Minga, ish-shefi i shërbimit ushtarak të ushtrisë në atë kohë, Ylli Zyla, la për të kuptuar se një nga arsyet e lirimit të Lleshit prej ministrit Imami ishte, sepse nxirrte informacione të klasifikuara jashtë institucionit. Në mënyrë “diplomatike” ai e quajti Sandër Lleshin, “të papërshtatshëm” për detyrën e ministrit të Brendshëm, sipas informacioneve që ende janë në dosjet e SHIU-t.

Pra për të gjithë ata socialistë që shfaqen të habitur dhe të revoltuar kur thonë se, “nga na doli ky Lleshi që kap direkt karrigen nr.2 të Rilindjes në pushtet”, përgjigjen mund ta marrin nga vetë Edi Rama; Ishte “spiuni” ynë brenda ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, kur ishim në opozitë!

Kjo është vetëm një pjesë e vogël e profili të “dashurisë së madhe” të fundit të Edi Ramë, Sandër Lleshit; nga ZV në ushtri, në këshilltar të paktën i dështuar në qeveri, e prapë ZV i komanduar nga vetë kryeministri, në luftën kundër krimit të organizuar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Real06/11/2018 16:55

Kandidimi i gjeneral Lleshi per minister te Brendshem ishte rast unik per intensitetin e sulmeve ndaj nje kandidati per minister; sulm nen rrogoz nga socialistet nga xhelozia qe u zuri nje vend ministri, sulm nga opozita nga frika se mos u hap telashe, sulm nga oficerat dhe ish oficerat e ushtrise nje pjese e te cileve jane xheloze dhe te paafte, dhe sulm po nga mediat per te thithur numer klikimesh ne portale. Arsyeja e shkarkimit te gjeneral Sandrit nga zevendes shef shtabi ishte xhelozia e Gjunkshit qe nuk ia varte asnjeri. Edhe ambasadori amerikan shmangte Gjunkshin pasi nuk merrte vesh ne menyre absolute nga drejtimi i ushtrise. Vete Imami deri vone nuk ia vershellente Gjunkshit dhe komunikonte direkt me Lleshin per ceshtje pune, cfare beri qe Gjunkshi te nxjerre urdher ku ia ndalonte gjeneraleve komunikimin me ministrin, pa i marre leje atij. Pasi u krijua ky hendek, Gjunkshi shpiku lloj lloj skemash disinformimi per te demtuar figuren e Lleshit pasi e shihte si kercenim real per postin e tij, nderkohe qe benin lloj lloj dallaveresh me Dritan Demirin dhe qoftexhinjt e tjere qe u rrinin verdalle. Nga te gjitha kategorite qe sulmojne sot Sandrin, vetem njera ia ben mire; oficerat pensioniste qe hane akoma buke ne ushtri ne saje te ligjit qe Sandri formuloi ne 2014 dhe ua zgjati koheqendrimin ne detyre per me shume se dhjete vjet. Kushdo qe mendon se i hedh poshte kaq sa shkrova, eshte i mirepritur te komentoje ne vijim.

edi romi06/11/2018 15:02

ky Sander L(l)eshi eshte nga ata burra, nese mund te quhet i tille), qe as te q. e as te leshon. Eshte nje vemje qe di te flase bukur vetem si sahanlepires. Ky do jete ministri me qesharak i ministrise se perbrendshme te Ed(vin) palles.

Shto koment

Denonco