Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Apeli i deputetit Tavo: Jo ekstremizmit, ktheni trupin që të tregojmë se jemi njerëz

Apeli i deputetit Tavo: Jo ekstremizmit, ktheni trupin që të tregojmë se jemi njerëz

13:45, 03/11/2018
A+ Aa A-

Deputeti i qarkut të Gjirokastrës, Vangjel Tavo, reagon sërish në lidhje me ngjarjen në Bularat.

Duke e dënuar çdo formë ekstremizmi ai apelon që familjes duhet t’i kthehet trupi i viktimës, për të shpëtuar ne veten si një shoqëri.

Reagimi i plotë i deputetit Tavo në Facebook:

Prej shumë ditësh debate të ashpra e të nxehta kanë vërshuar nga të dy anët e kufirit mbi ngjarjen e vrasjes në Bularat.

Nacionalistë dhe anti-nacionalistë e kanë shfrytëzuar këtë ngjarje për të shprehur mllefet e tyre, të qena e të paqena, të kuptueshme e të pakuptueshme, herë të justifikueshme e herë tërësisht të paarsyeshme, duke drejtuar gishtin e duke u munduar të gjejnë fajtorin si brenda ashtu edhe jashtë kufirit.

Askush nuk ka justifikim as etnik e as ideologjik të kundërshtojë ligjet dhe organet ligj-zbatuese të një shteti, dhe asnjë një vend nuk duhet të lejojë e mbështesë radikalizmin, por çdo qytetar i thjeshtë e mbi të gjitha vetë shteti duhet të mbështesë e zbatojë të drejtën dhe ligjin.

Të gjithë ne duhet të jemi me ligjin, drejtësinë, kombin, flamurin, dhe vëllazërinë e bashkëatdhetarëve tanë, sepse kemi diçka të madhe që na bashkon: kjo është jeta. Qeniet njerëzore kanë një ADN, një gjak, një jetë, dhe pavarësisht se kujt kufiri i përkasin në botë, kanë një vlerë.

Një njeri nuk jeton më. Konstandinos Kacifas nuk jeton më. Familja e tij kërkon trupin që ta qajë e varrosë sipas traditës e zakoneve të veta. Prokuroria të vazhdojë me hetimet e saj, me zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e së vërtetës. Por, trupi duhet t’i dorëzohet familjes.

Edhe në kohët e lashta, armiqtë ulnin armët për disa ditë që të varrosnin të vdekurit, që prindërit të varrosnin bijtë e tyre. Edhe në ditët e sotme, në vendet e përfshira në luftra makabër e tribale, dorëzojnë trupat e respektojnë varrosjen, traditat e zakonet.

Ndaj mos privoni prindërit e familjarët të derdhin lot e të vajtojnë siç ua kërkon zakoni. Askush nuk duhet të derdhë lot për ekstremizëm, askush nuk duhet të vajtojë për ideologji vrastare, askush nuk duhet të nderojë pishtar-mbajtësit e vdekjes, qofshin ata nga ky krah apo nga krahu tjetër i kufirit, duhet t’u themi JO çdo radikalizmi, por prindërit kanë të drejtën e Perëndisë dhe zemrës njerëzore të varrosin fëmijën e tyre, ashtu siç do meritonte çdo prind, shqiptar, grek, e nga çdo cep e kthinë e botës.

“Kush shpëton një jetë shpëton një botë të tërë,” ka thënë Shën Tereza jonë. Ne të gjithë nuk arritëm dot ta shpëtonim Konstandinos Kacifas, as nga ideologjitë e sjellja e tij e as nga vrasja e tij, por sot kemi mundësinë të shpëtojmë veten, të tregojmë që jemi ende njerëz, dhe që kemi ende zemër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco