Një aksident i rëndë me pasojë një viktimë dhe disa të lënduar është regjistruar pasditen e kësaj të mërkure te rrethrrotullimi i TEG-ut, në aksin Tiranë–Elbasan.
Sipas informacioneve të konfirmuara, drejtuesi i betonieres ka humbur jetën, ndërsa drejtuesja e një automjeti tip fuoristradë është transportuar në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se edhe persona të tjerë kanë mbetur të lënduar, ndërsa bilanci i plotë pritet të konfirmohet nga autoritetet.
Sipas raportimeve paraprake, betoniereja u përplas fillimisht me një automjet tip fuoristradë në dalje të nyjës që lidh Unazën e Madhe me aksin Tiranë–Elbasan. Pas përplasjes së fortë, mjeti i tonazhit të rëndë humbi kontrollin, theu barrierat mbrojtëse të mbikalimit dhe ra në rrugën poshtë, duke u shkatërruar pothuajse plotësisht.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë dëme të mëdha në të dy automjetet, ndërsa qarkullimi në zonë u paralizua për shkak të aksidentit. Të parët që u erdhën në ndihmë të aksidentuarve ishin drejtues të tjerë mjetesh që po kalonin në atë segment rrugor, ndërsa më pas në vendngjarje mbërritën forcat e Policisë, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, të cilat transportuan të plagosurit drejt Spitalit të Traumës.
Gazetari Fatjon Gjinaj raportoi nga vendi i ngjarjes se aksidenti ndodhi në një nga pikat më problematike të këtij segmenti rrugor, ku në të kaluarën janë regjistruar edhe ngjarje të tjera të rënda. Sipas tij, dinamika e aksidentit do të zbardhet nga grupi hetimor, i cili pritet të analizojë edhe pamjet e kamerave të sigurisë të instaluara në zonë. Nuk përjashtohet mundësia që shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të ketë ndikuar në aksident, por shkaku mbetet ende nën hetim.
Si pasojë e ngjarjes janë krijuar radhë të gjata automjetesh në Unazën e Madhe dhe në aksin Tiranë–Elbasan, ndërsa policia po punon për normalizimin e qarkullimit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
© SYRI.net