Stuhia e mbrëmjes së të martës ka shkaktuar dëmtime në një pallat 12-katësh në Sarandë, ku çatia e katit të fundit, e ndërtuar me dru, është shkatërruar.
Si pasojë e dëmtimit të çatisë, 4 familje që jetojnë në katin e 12-të kanë mbetur pa mbulesë, duke u përballur me probleme për shkak të situatës së krijuar.
Pas bërjes publike të shqetësimit, sot në pallatin ku u dëmtua çatia kanë shkuar punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Sarandës.
Sipas njoftimit të këtij institucioni, gjatë verifikimit në terren u konstatua se objekti, i cili është një ndërtim i hershëm, nuk është i pajisur me certifikatë pronësie. Banorët e dëmtuar posedonin vetëm kontratën e porosisë të lidhur mes ndërtuesit Shpëtim Boçi dhe palës blerëse.
Nga verifikimi në vendngjarje rezultoi se gjysma e çatisë ishte prishur tërësisht, ndërsa pjesa tjetër kishte pësuar dëmtime të rënda.
Pas paraqitjes së situatës së këtij pallati pranë autoriteteve të Bashkisë së Sarandës, pritet të përcaktohet se çfarë do të bëhet në rastin konkret.
© SYRI.net