Aksidenti i rëndë te rrethrrotullimi i TEG-ut/ Përsëritet tragjedia, rreth 3 vite më parë në të njëjtin vend 3 të rinj humbën jetën

17:42, 22/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Mbikalimi pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, në Unazën e Madhe të Tiranës, është kthyer sërish në skenën e një aksidenti tragjik, duke rikthyer në vëmendje një nga pikat më problematike të qarkullimit në kryeqytet.

Pasditen e kësaj të mërkure, drejtuesi i një betoniere humbi jetën, ndërsa një grua mbeti e plagosur rëndë, pasi mjeti i tonazhit të rëndë u përplas me një automjet në rrethrrotullim, humbi kontrollin, theu barrierat mbrojtëse dhe ra nga mbikalimi, duke zënë poshtë një tjetër automjet.

Ngjarja rikthen në vëmendje një aksident tjetër fatal të ndodhur rreth tre vite më parë, pikërisht në të njëjtin vend. Në atë rast, një automjet tip "Audi" çau barrierat mbrojtëse dhe ra nga mbikalimi mbi aksin rrugor poshtë, duke u përplasur me një automjet tip "Honda".

Si pasojë e atij aksidenti humbën jetën dy të reja që udhëtonin me "Audi"-n, ndërsa drejtuesi i mjetit dhe tre personat që ndodheshin në "Honda" mbetën të plagosur.

Përsëritja e aksidenteve të rënda në të njëjtin segment rrugor ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje mbi sigurinë e infrastrukturës dhe kushtet e qarkullimit në këtë nyje të rëndësishme, e cila lidh Unazën e Madhe me aksin Tiranë–Elbasan.

Ekspertët kanë evidentuar më herët problematika që lidhen me projektimin e nyjës, sinjalistikën dhe mënyrën e hyrjes e daljes nga rrethrrotullimi, ndërsa hetimet për aksidentin e kësaj të mërkure pritet të përcaktojnë nëse në ngjarje kanë ndikuar shpejtësia, një defekt teknik apo faktorë të tjerë.

Aksidentet e njëpasnjëshme në këtë segment rrugor rikthejnë edhe një herë në vëmendje shqetësimin për sigurinë në rrugët e vendit, ndërsa bilanci i viktimave dhe të plagosurve nga ngjarjet rrugore vijon të mbetet alarmues.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco