Pesë persona, mes tyre dy shtetas italianë, janë arrestuar në Vlorë pasi dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në plazhe dhe lokale të qytetit.
Në pranga ranë N. K., 20 vjeç, R. H., 20 vjeç, M. M., 23 vjeç, si dhe shtetasit italianë C. L., 42 vjeç, dhe C. S., 37 vjeç.
Të arrestuarit u kapën në zonën e Zvërnecit, ndërsa gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj tyre, në automjetin që përdornin dhe në banesën ku qëndronin në lagjen "Uji i Ftohtë", u sekuestruan rreth 700 doza lëndësh narkotike të llojeve "Tusi", "Ketaminë", "MDMA", "Kokainë", "Ekstazi" dhe "Kanabis", si dhe një shumë parash dhe tetë telefona celularë që dyshohet se përdoreshin në këtë veprimtari.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë
Finalizohet operacioni policor i koduar "WEST", për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Arrestohen në flagrancë 5 shtetas, nga të cilët 2 janë shtetas italianë.
Sekuestrohen 700 doza të lëndëve narkotike të llojeve "Tusi", "Ketaminë", "MDMA", "Kokainë", "Ekstazi" dhe "Kanabis".
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë operative, lidhur me disa shtetas që transportonin lëndë të ndryshme narkotike me qëllim shitjen e tyre në qytetin e Vlorës, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, me mbështetjen e shërbimeve operacionale të DVP Vlorë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "WEST".
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit N. K., 20 vjeç, banues në Lezhë; R. H., 20 vjeç, banues në Lezhë; M. M., 23 vjeç, banues në Lezhë; C. L., 42 vjeç, banues në Romë, Itali, dhe C. S., 37 vjeç, banues në Palermo, Itali.
Këta shtetas u konstatuan në zonën e Zvërnecit dhe, gjatë kontrollit fizik të tyre, të automjetit që përdornin, si dhe të banesës ku qëndronin, në lagjen "Uji i Ftohtë", Vlorë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 700 doza lëndësh narkotike të llojeve të ndryshme, gati për shitje, një shumë parash të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe 8 aparate celularë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas i shisnin lëndët narkotike në plazhe dhe lokale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", kryer në bashkëpunim.
© SYRI.net