Fshati Gjorm, një nga zonat me numër të konsiderueshëm banorësh në Bashkinë Kurbin, vijon prej vitesh të përballet me mungesën e investimeve në infrastrukturë. Rrugët e dëmtuara, mungesa e ujit të pijshëm dhe zvarritja e zgjidhjes së problemeve të trashëguara pas tërmetit të vitit 2019 mbeten shqetësimet kryesore të komunitetit.
Kryeplaku i fshatit, Ajet Vathi, shprehet për Syri tv se Gjormi është lënë në harresë nga institucionet, veçanërisht nga Bashkia Kurbin, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të banorëve për ndërhyrje. Sipas tij, edhe pse kanë kaluar disa vite nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ende ka familje që jetojnë në kontejnerë, pa marrë një zgjidhje përfundimtare për strehimin.
Një tjetër problem i mprehtë mbetet infrastruktura rrugore, veçanërisht në zonën e Fushë-Gjormit, ku rruga që lidh fshatin me autostradën është në gjendje të amortizuar. Banorët kanë investuar nga fondet e tyre për rikonstruksionin e disa segmenteve rrugore, por ndërhyrjet janë të pamjaftueshme për të garantuar qarkullim normal. Gjatë stinës së dimrit, lëvizja e banorëve dhe automjeteve bëhet edhe më e vështirë për shkak të dëmtimeve të rrugëve.
Kryeplaku Vathi thekson se, megjithëse janë paraqitur vazhdimisht kërkesa pranë Bashkisë Kurbin, deri më tani asnjë prej tyre nuk është marrë në konsideratë dhe nuk është realizuar.
Me një histori të pasur, traditë dhe potencial turistik, Gjormi vazhdon të mbetet jashtë vëmendjes së institucioneve. Sipas banorëve, mungesa e investimeve po ndikon drejtpërdrejt në largimin e familjeve nga fshati, duke e përshpejtuar fenomenin e emigrimit dhe zbrazjen e zonës.
© SYRI.net