SYRI TV/ Bien prurjet në liqenin e Fierzës, temperaturat e larta ulin rezervat ujore

14:20, 07/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Temperaturat e larta, mungesa e reshjeve dhe rritja e konsumit të energjisë kanë ulur ndjeshëm prurjet në Liqenin e Fierzës.

HEC-i i Fierzës aktualisht punon vetëm një agregat, ndërkohë që për të garantuar furnizimin me energji gjatë verës, KESH po mbështetet edhe te importi. Nëse moti i thatë vazhdon, menaxhimi i rezervave ujore dhe importi i energjisë do të mbeten vendimtarë për furnizimin e pandërprerë në vend.

SYRI TV

Temperaturat e larta të javëve të fundit, mungesa e reshjeve dhe rritja e konsumit të energjisë elektrike, po reflektohen drejtpërdrejt në kaskadën e lumit Drin. Prurjet në Liqenin e Fierzës kanë rënë ndjeshëm, duke detyruar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare të mbështetet edhe te importi i energjisë për të garantuar furnizimin gjatë sezonit veror.

Sipas të dhënave nga salla operative e HEC Fierzë, prurjet mesatare aktuale janë vetëm 35 metra kub ujë në sekondë, ndërsa niveli i liqenit ka zbritur në 292.16 metra mbi nivelin e detit, rreth 4 metra më pak krahasuar me mesin e muajit qershor, kur kuota ishte 295.88 metra. Aktualisht në punë është vetëm një agregat, ndërsa tre agregatët e tjerë mbahen në gatishmëri.

Prodhimi ditor i energjisë në Fierzë është rreth 110 megavat/orë, çka tregon një shfrytëzim të kujdesshëm të rezervave ujore në kushtet e prurjeve të ulëta. Situata aktuale tregon se, në mungesë të reshjeve dhe me vijimin e temperaturave të larta, menaxhimi i rezervave ujore dhe importi i energjisë do të mbeten faktorë kyç për garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike në vend.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco