Antimafia zbulon skemën/ Kepi: Alarm për autoritetet shqiptare, të rinjtë po rekrutohen si korrierë droge

14:58, 06/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetarja Alba Kepi, e ftaur në studion e lajmeve me gazetarin Arnold Kariqi, në Syri TV, solli detaje të reja mbi operacionin e Antimafias italiane, i cili zbuloi një organizatë të strukturuar italo-shqiptare të narkotrafikut që, sipas hetimeve, kishte ngritur një skemë të mirëorganizuar për rekrutimin e të rinjve shqiptarë pa precedentë penalë, mes tyre edhe të mitur, për t'i përdorur si korrierë dhe shpërndarës droge në Itali.

Kepi theksoi se, grupi kriminal i sillte të rinjtë në Itali si turistë për periudha 90-ditore, duke i zëvendësuar vazhdimisht për të shmangur ekspozimin e drejtuesve të organizatës dhe për të mbajtur larg përgjegjësisë krerët e rrjetit kriminal.

Organizatat vepronin kryesisht në veri të Italisë, thkeson ajo, ku rolet ishin të ndara qartë mes grupeve shqiptare dhe atyre italiane dhe ku përdoreshin metoda të sofistikuara komunikimi për t'iu shmangur hetimeve.

Gazetarja thekson se, ky është një alarm serioz për autoritetet shqiptare, pasi raste të ngjashme janë evidentuar edhe në operacione të tjera të zhvilluara së fundmi nga Antimafia italiane, duke treguar një model të përsëritur të rekrutimit të të rinjve shqiptarë për rrjetet e narkotrafikut.

Pjesë nga deklarata:

Në fakt, bëhet fjalë për një operacion që nisi nga një kontroll rutinë rrugor, kur u kapën dy persona shqiptarë, të cilët po trafikonin rreth 2 kilogramë marijuanë. Nga ai moment, operacioni iu kalua për kompetencë Antimafias së Milanos, e cila nisi procesin hetimor dhe arriti të zbulonte se nuk kishin të bënin me korrierë të zakonshëm, por me një organizatë të strukturuar, e cila jo vetëm kishte menduar të magazinonte dhe të trafikonte drogë në disa rajone italiane, kryesisht në pjesën veriore, por kishte ndërtuar edhe një sistem të mirëorganizuar. Për të mos përdorur anëtarët e vet, ky grup narkotrafikantësh rekrutonte të rinj shqiptarë, të cilët i punësonte që në Shqipëri, pasi supozohet se baza e këtyre grupeve të narkotrafikut shqiptar ndodhet në Shqipëri. Ata i punësonin pikërisht për të kryer në Itali rolin e korrierit të drogës.

Por ata kishin edhe funksione të tjera, pasi merreshin me përgatitjen e dozave të drogës, shpërndarjen dhe magazinimin e tyre. Pas përfundimit të qëndrimit 90-ditor, që është afati i lejuar për ata që lëvizin brenda territorit Schengen, ktheheshin në Shqipëri dhe zëvendësoheshin me një grup tjetër të rinjsh shqiptarë, të cilët kryenin të njëjtat detyra. Pra, ishte një sistem i ndërtuar për të larguar çdo përgjegjësi nga anëtarët e këtij grupi narkotrafikantësh dhe për t'ua kaluar atë të rinjve shqiptarë, të cilët ishin pa precedentë penalë. Mes tyre kishte edhe të mitur.

Sofistikimi i kësaj mënyre organizimi shfaqet edhe në faktin se telefonat celularë që përdornin për të komunikuar me njëri-tjetrin ndërroheshin vazhdimisht dhe komunikimi kryhej përmes platformave që kriptonin çdo bisedë mes anëtarëve të grupit. Pra, ishte e qartë se nuk kishim të bënim me një organizim të thjeshtë, por me një organizatë shumë të strukturuar të narkotrafikut shqiptar me bazë në veri të Italisë.

Aktiviteti i tyre përqendrohej kryesisht në zonën bregdetare të Adriatikut verior, aty ku ndodhen lokalet më të njohura, më të shtrenjta dhe më të frekuentuara nga të rinjtë, sidomos gjatë stinës së verës. Pikërisht aty pozicionoheshin këta korrierë dhe shitës droge shqiptarë, të rinj dhe pa precedentë penalë, të cilët quheshin "kavalini", ose "kalorës", dhe merreshin me këto punë që drejtuesit e organizatës nuk donin t'i kryenin vetë.

Flitet për një organizatë italo-shqiptare, por me detyra të ndara. Shqiptarët merreshin me furnizimin e sasive të drogës, ndërsa italianët, padyshim, me menaxhimin e territorit. Gjithmonë ka funksionuar kështu. Klanet autoktone të narkotrafikut në zona të caktuara të Italisë bëjnë marrëveshje me grupe të huaja, në këtë rast shqiptare, por mund të jenë edhe nigeriane apo marokene. Pra, bëhet një ndarje e aktivitetit, pasi grupet italiane kontrollojnë territorin, ndërsa shqiptarët sigurojnë transportin dhe furnizimin me marijuanë, kokainë apo hashash. Në këtë mënyrë menaxhohet i gjithë aktiviteti kriminal. Pra, kemi të bëjmë me një organizatë kriminale italo-shqiptare, ku shqiptarët kishin një rol kyç në transportin dhe furnizimin me marijuanë dhe kokainë.

Janë sekuestruar rreth 100 kilogramë drogë. Mbi 70 kilogramë janë marijuanë, 21 kilogramë janë kokainë, si dhe sasitë e tjera që u përmendën në kronikë. Pra, kemi të bëjmë me një organizatë jo të parëndësishme. Kjo është vetëm faza e parë e këtij operacioni hetimor. Janë 16 persona të vënë nën hetim dhe, siç ndodh zakonisht pas çdo operacioni, fijet lidhëse mes tyre dhe elementëve të tjerë, qoftë në Itali, qoftë në vendin nga ku sigurohet droga, apo edhe në Shqipëri, ku supozohet se ndodhet baza kryesore e drejtuesve të këtij grupi, pritet të çojnë në një fazë të dytë, më të avancuar të operacionit.

Ajo që mendoj se duhet të ngrejë alarm për autoritetet shqiptare është fakti se janë zhvilluar disa operacione policore dhe, kësaj here, kemi të bëjmë me Antimafian, pra me një strukturë shumë të rëndësishme, e cila evidenton se të rinj shqiptarë pa precedentë penalë vijnë në Itali pikërisht për t'u punësuar në këtë "zanat", si korrierë apo shpërndarës droge. E njëjta skemë u evidentua edhe pak javë më parë në L'Aquila: i njëjti model, një numër i lartë personash të arrestuar dhe i njëjti përshkrim nga autoritetet policore, të rinj shqiptarë, mes tyre edhe të mitur, që vijnë si turistë dhe përfundojnë të punësuar si korrierë droge.

Jam shumë kurioze të shoh se si do të jetë raporti për vitin 2025 dhe vitet në vijim, pasi të dhënat tregojnë se narkotrafiku shqiptar po forcohet gjithnjë e më shumë në kontrollin e heroinës, kokainës dhe marijuanës. Pra, të të gjitha llojeve të drogës. Për fat, deri më sot nuk ka sinjalizime se grupet shqiptare janë përfshirë në shpërndarjen e fentanilit, i cili është një nga shqetësimet më të mëdha që vjen nga përtej oqeanit. Por, për heroinën, kokainën dhe marijuanën, vijojmë të jemi në hartën kryesore të narkotrafikut. Ky sinjalizim që vjen nga OKB-ja nuk më habit aspak, pasi këto raporte zakonisht publikohen me dy vite vonesë, për shkak të kohës që nevojitet për mbledhjen e të dhënave nga të gjitha vendet ku evidentohet ky fenomen dhe për përgatitjen e bilanceve mbi luftën kundër narkotrafikut. E njëjta praktikë ndiqet edhe nga Guardia di Finanza dhe Antimafia italiane në raportet e tyre gjashtëmujore, të cilat i paraqiten Parlamentit italian dhe opinionit publik. Pra, ky raport është plotësisht në linjë me sinjalizimet që autoritetet italiane japin çdo ditë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco