Në dëshminë e tij para SPAK, ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Mbrojtjes deklaroi se gjatë periudhës së tij në detyrë (2009–2012), çështja e “Klubit Partizani” nuk ka pasur ndonjë rëndësi apo trajtim të veçantë në institucionin që ai drejtonte.
Ai sqaroi se ka mbajtur postet e zëvendëskryeministrit, ministrit të Mbrojtjes dhe më pas deputetit të Kuvendit, duke theksuar se në kujtesën e tij klubi ka funksionuar si subjekt privat dhe nuk ka qenë objekt diskutimesh institucionale në ministri.
“Klubi Partizani, në dijeninë time, administrohej nga persona privatë dhe pothuajse nuk ka zënë asnjë vend në diskutimet apo mbledhjet e Ministrisë së Mbrojtjes,” u shpreh ai.
I pyetur për nisjen e zbatimit të vendimeve të Këshillit të Ministrave lidhur me pronën gjatë kohës kur drejtonte ministrinë, ai theksoi se nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në këtë çështje, duke argumentuar se Ministria e Mbrojtjes nuk kishte rol funksional si institucion sporti apo administrues i tillë pronash.
“Kam qenë ministër i Mbrojtjes dhe jo ministër sporti. Për ne nuk kishte vend të veçantë kjo çështje,” deklaroi ai.
Sipas tij, dokumentacioni që i ka mbërritur në zyrë tregonte se prona ishte në pronësi të privatëve dhe procedurat ishin të kompletuara sipas ligjit, përfshirë edhe pagesat përkatëse.
Ai shtoi gjithashtu se nuk ka autorizuar përfaqësues të ministrisë për vlerësime në lidhje me këtë çështje dhe se, për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar, nuk kujton detaje të sakta, por është i gatshëm të verifikojë çdo dokument me firmën e tij.
“Ministria e Mbrojtjes kishte rreth 12 mijë persona personel civil dhe ushtarak. Nuk mund të merrej ministri me çdo çështje në mënyrë direkte; ishin deleguar kompetencat sipas procedurave ligjore,” tha ai.
SPAK: Kur ke qenë ministër i Mbrojtjes dhe çfarë funksionesh ke pasur?
Oketa: Kam qenë zëvendëskryeministër, më pas kam marrë detyrën e ministrit të Mbrojtjes. 2009–2012 kam qenë deputet i Kuvendit.
SPAK: Çfarë ishte Klubi Partizani në raport me Ministrinë e Mbrojtjes?
Oketa: Në kujtesën time, Klubi Partizani ka pasur zero interes për Ministrinë e Mbrojtjes. S’më kujtohet të kishte interes të veçantë. Në dijeninë time administrohej nga persona privatë. Pothuajse në asnjë nga diskutimet apo mbledhjet nuk mbaj mend të ketë pasur një zë që ky klub të zinte një vend të veçantë në Ministrinë e Mbrojtjes.
SPAK: Në kohën kur ishe ministër i Mbrojtjes, ke nisur zbatimin e VKM-së së qeverisë për klubin?
Oketa: Kam qenë ministër i Mbrojtjes dhe jo ministër sporti. Nuk kishte vend të veçantë për ne, sepse nuk ishte një vend që mund të përdorej nga Ministria e Mbrojtjes. Klubi Partizani, në kujtesën time, ka qenë një klub privat. Unë as e kam konsideruar fare si një institucion kulturor; nuk e bën godina, por puna.
SPAK: Jeni interesuar për pronën, duke qenë se ishte në varësinë tuaj?
Oketa: Për herë të parë në tavolinën time kjo çështje më ka ardhur në zyrë si praktikë që ajo pronë ishte e pronarëve. Praktika ishte e plotë dhe ata kishin bërë edhe pagesën. Nuk kisha asnjë arsye pse ta mbaja atë pronë në varësi.
Oketa: Edhe sot, nëse shikoni faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, keni një sektor që flet për pronat dhe ende sot nuk kemi një inventar të pronave. Kishte ushtarakë që e kundërshtonin, meqë kishte ardhur përgjigjja nga Këshilli i Ministrave, atëherë unë kam dhënë direktivën që të ndiqen të gjitha procedurat ligjore në fuqi, për sa kohë pronarët kishin dokumente të shtetit në lidhje me këtë çështje. E theksoj edhe një herë: nuk ka pasur interes për Ministrinë e Mbrojtjes.
SPAK: A keni pasur përfaqësues të ministrisë kur është bërë vlerësimi?
Oketa: Unë nuk kujtoj të kem autorizuar ndonjë ushtarak në lidhje me këtë çështje. Kanë kaluar 18 vjet nga ajo kohë, por nëse keni ndonjë dokument me firmën time, jam i gatshëm t’i dal për zot.
Ministria e Mbrojtjes ka pasur 12 mijë persona personel civil dhe ushtarak. Nëse ju pretendoni që ministri duhet të kujdeset për çdo gjë, atëherë stafi duhet të ikë në shtëpi.
Futem tek ato politika që kam firmosur për shumë delegime kompetencash; mund t’i shikoni në dokumenta.
SPAK: Urdhrin që keni firmosur që ta dorëzonte komanda mbështetëse, jeni njohur me ndonjë dokument?
Oketa: Çdo person që ka pasur për detyrë për të ndjekur këtë praktikë ka firmosur dhe në fund ka ardhur tek unë. Pas vitit 1990 shumë prona të Ministrisë së Mbrojtjes dolën të tepërta dhe shumë prona dalin nga plani i përhapjes sepse nuk i duhen ushtrisë. Edhe në këtë rast është ndjekur e njëjta praktikë. Nuk është e vetmja pronë që është kthyer.
Sepse kur prona del nga plani i përhapjes, shteti e përdor për interesa të tij nëse nuk ka pronarë.
Oketa: Historia e Ministrisë së Mbrojtjes nuk fillon kur u bëra ministër. Prona në fjalë ka qenë jashtë planit të përhapjes, në dijeninë time. Nuk arrij ta kuptoj sensin e pretendimeve. Gjeneral Qirjazi dha urdhër për ngritjen e grupit të punës. Çështja e regjistrimit nuk është punë e ministrit.
SPAK: Pse ngarkuat Komandën Mbështetëse dhe jo një përfaqësues të Ministrisë?
Oketa: Unë jua thashë: kthejani pronarëve. Jo, nuk jua thashë unë, jua tha ligji. Po jua theksoj, është edhe sot e njëjta praktikë. Është përdorur i njëjti standard për trajtimin me të njëjtin seriozitet dhe përkushtim.
SPAK: E keni takuar Vladimir Qirjazin për këtë çështje?
Oketa: Do ta vazhdoj dhe sot e kësaj dite: pse Komanda Mbështetëse? Unë nuk bëj pjesë tek ata njerëz që i dinë të gjitha, prandaj ministri ka edhe këshilltarë. Nëse gjeneralët shqiptarë janë për të mbajtur yje mbi shpatulla dhe asnjë përgjegjësi, atëherë është problemi i tyre. Ka pasur takime të herëpashershme me Gjeneral Qirjazin, kemi qenë prezentë herë me njerëz të tjerë dhe herë vetëm, por nuk e kuptoj sensin e pyetjeve.
© SYRI.net