Policia e Fierit ka arrestuar një 19-vjeçare pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale ku ajo, bashkë me dy 15-vjeçare dhunonin një 17-vjeçare.
“Nisur nga sensibiliteti i lartë publik i krijuar pas publikimit në rrjetet sociale të videos së një ngjarjeje të ndodhur më datë 08.06.2026, si dhe pas reagimeve dhe interesit të madh të qytetarëve në drejtim të adresave zyrtare dhe rrjetet sociale të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Fier e konsideron të nevojshme të risqarojë opinionin publik mbi masat e marra dhe veprimet e kryera nga strukturat e Policisë në lidhje me këtë rast, dhe më konkretisht:
Më datë 08.06.2026, një shtetase 17 vjeçe është paraqitur në Komisariatin e Policisë Fier, së bashku me nënën e saj, dhe ka kallëzuar se ishte dhunuar dhe filmuar në banesën e shtetases L. L., 19 vjeçe, nga kjo e fundit dhe dy shtetase të tjera 15-vjeçare.
Menjëherë pas kallëzimit të së miturës, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë vlerësuar maksimalisht denoncimin dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore, në përputhje me parashikimet ligjore”, tha policia.
Në vijim të veprimeve hetimore, janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë shtetasja L. L., 19 vjeçe, si dhe 2 shtetaset e mitura 15-vjeçare, të cilat deklaruan se kishin ushtruar dhunë ndaj shoqes së tyre, shtetases së mitur 17 vjeçe, për motive të dobëta.
Në përfundim të veprimeve, më datë 09.06.2026, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprën penale "Dëmtime të tjera me dashje", në ngarkim të 3 shtetaseve të mësipërme, tha policia.
“Gjithashtu, sqarojmë se, më datë 28.06.2026, nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në koordinim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, është arrestuar njëra nga 15-vjeçaret e përfshira në dhunimin e 17-vjeçares. Arrestimi u bë pas kallëzimit të nënës së 15-vjeçares, e cila deklaroi se ishte dhunuar nga vajza e saj, duke i shkaktuar dëmtime fizike. Pas procedurave përkatëse dhe bazuar në vlerësimin e autoriteteve kompetente, 15-vjeçarja e arrestuar është dërguar për trajtim në një institucion shëndetësor të specializuar për shëndetin mendor, në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Asnjë shpjegim nuk jepet se pse ngjarja u mbajt e fshehtë për gati një muaj.
© SYRI.net