GJKKO shtyn seancën ndaj Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës, rrëzohet kërkesa për pezullim të gjykimit

12:11, 07/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur shtyrjen e seancës gjyqësore ndaj Erion Veliajt, Ajola Xoxës dhe të pandehurve të tjerë për datën 21 korrik, ora 10:00.

Vendimi u mor pas shqyrtimit të kërkesës së mbrojtjes së Ajola Xoxës për pezullimin e procesit gjyqësor, me argumentin se ajo ndodhet në periudhë leje pas lindjes dhe se gjendja e saj pas lindjes me operacion cezarian e vështirëson komunikimin me avokatët.

Trupi gjykues rrëzoi kërkesën për pezullim të gjykimit, duke vlerësuar se dokumentacioni i paraqitur ishte një raport për leje lindjeje dhe jo raport për paaftësi për punë.

Pavarësisht rrëzimit të kërkesës për pezullim, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për në datën 21 korrik, në orën 10:00.

Më herët, mbrojtja e Ajola Xoxës kishte kërkuar pezullimin e shqyrtimit gjyqësor deri në përfundimin e periudhës së lejes së lindjes, ndërsa Prokuroria e Posaçme kundërshtoi kërkesën, duke argumentuar se Kodi i Procedurës Penale nuk parashikon një rrethanë të tillë si shkak për pezullimin e procesit.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, kishte deklaruar se nëse gjykata do ta konsideronte mungesën e Xoxës si pengesë të ligjshme, mund të vlerësohej ndarja e çështjes së saj dhe vijimi i gjykimit për të pandehurit e tjerë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco