Gjykata e Posaçme ka lënë në burg oficerin e policisë gjyqësore Igli Haxhiaj që u arrestua në kuadër të një operacioni të autoriteteve italianenë Bashkëpunim me SPAK, zgjatim i dosjes ‘Ura’ ku u godit grupi kriminal i Troplinëve. Haxhiaj nuk ka pranuar akuzat duke pretenduar se emri i tij është përdorur dhe se nuk ka përdorur kurrë aplikacionin SKY ECC. Madje mbrojtja e tij ka paraqitur dy dokumente ku tregohet se Haxhiaj është dekoruar nga Policia e Shtetit dhe partnerët Italian. Por dosja hetimore e siguruar nga Syri Televizion, tregon se punonjësi i policisë, jo vetëm që është përfshirë si informator në hetimet për grupin kriminal, por kërkonte hapur para.
Nga SYRI TV
Gjykata e Posaçme vendosi sot vijimin e arrestit në burg për Igli Haxhia, oficerin e policisë gjyqësore që përkundrejt parave sipas SPAK, informonte anëtarët e një grupi kriminal mbi hetimet që kryente vetë ndaj tyre. Para togave të zeza, Haxhiaj kundërshtoi akuzat, duke pretenduar se emri i tij është përdorur dhe se nuk ka qenë kurrë përdorues i aplikacionit SKY ECC.
Madje avokatja e tij Xhoi Nela paraqiti në gjykatë dy vlerësime që kishte marrë Haxhiaj nga Policia e Shtetit dhe partnetër Italian. Syri Televizion siguroi vendimin e gjykatës që çoi në arrestimin e Igli Haxhiaj në Shqipëri, ndërkohë që pala italiane firmosi në kohë të ndryshme mbi 50 urdhër arrest më shumë se gjysma e të cilëve janë shqiptarë, ndërkohë që njihet si vijimi i hetimeve mbi operacionin Ura ku u godit organizata e Troplinëve. 24 të tilla janë lëshuar vetëm së fundmi, nga të cilët shumica janë janë shqiptarë
Lexo dhe: Oficeri Haxhiaj shkoi në akademi për tu pajisur me gradë me të lartë, por u arrestua nga AMP-ja
URDHËR ARRESTET PER
VINCENZO BRUNO
ARLIN BUZALI
DONALD CALA
GAZMEND FERHATI
ELTON GJEGJA
ADRIATIK HASA
ERION KAPIDANI
OLTION LALA
ASTI LLUPI
DENIS MYFTIU
ALTIN SHEHAJ
GAZMEND SHEHU
BLEDIN DOCI
ELVIS DOCI
JULJAN HYKA
EDUART LEBA
GENTIAN SHABA
OGERT SHQEVI,
DENIS TAFILI
INDRIT TAFILI
KLODIAN VATA
Sipas transkriptimit të bisedave në SKY ECC, Haxhiaj jo vetëm jepte informacione për çështjen që po e hetonte vetë, por kërkonte hapur para në këmbim. Haxhiaj dekonspironte hetimin pikërisht tek personi nën hetim për trafik droge Dario Myftiu.
IGLI HAXHIAJ: Ai është që të jetë i informuar, për ça bëhet fjalë, a s’ka interes dmth, po tani thuaj kaq, si të japi lekët ja themi ça ka dhe kur të këtë siklete që do i ketë nga mbrapa e njoftojmë, edhe sa herë të jemi mbas atij ta njoftojmë, o vllai të na japi noi kafe, edhe sa herë të jemi mbas atij ta njoftojmë, se si çështje nuk e mbyllim dot, se e ka tjetër kush, vetëm mos i thuaj kush jam unë mos ta dij fare se s’dihet ça flet.... Ok vllai....Po noi 5€, mos ta vrasim...thuaji kur ke sjell një sasi të modhe të morën në tel, dhe ke qenë me dy goca. Po s’ja vlen me i thënë më pak.... po për 500, 1 mij s’ja vlen fare vllai, se i shpëtojmë gjithë ato lekë, ati një kapje i fiken 70 mij, i arrestuam nipin, thuaja ta dij, thuaj për 5 vk...shife ça do thotë.
Nga biseda duket qartë se kur ai komunikon shifrën “5” bëhet fjalë për shumën 5,000 Euro dhe Myftiu thotë në një nga bisedat se bëhet fjalë për 3 persona që secili përllogaritet ti ofrojë oficerit të policisë nga 5 mijë euro. SPAK thotë se Igli Haxhiaj në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka qënë pjesë e grupit të hetimit që ka kryer përgjimin dhe vëzhgimin e fshehtë të subjekteve të këtij procedimi penal, duke kryer veprime vëzhgimi ndaj shtetasit Dario Myftiu dhe automjeteve në përdorim të tij.
Më 5 dhjetor të 2020 mes Igli Haxhiajt e Dario Myftiut zhvillohet një tjetër komunikim në SKY EÇ. Polici ofron të japë informacionin për veprimet hetimore, në shkëmbim të përfitime monetare, duke u shprehur se, “besoj ai e di që ka një kosto”. Tjetër bisedë mes Dario Myftiut dhe Igli Haxhiajt zhvillohet në datën 5 dhjetor 2020
IGLI HAXHIAJ: Vlla po deshe të diskutojmë duhet me ardh me mendje të qartë që po të ndihmoj jo që po ta fus, se nuk jemi nga ata, mirë është mos njifemi. Kemi kontakt dhe nqs do unë do të të them çdo gjë dhe të bashkëpunojmë mos biesh në sy tek të tjerët, se kam hall se do flasësh për mua, dhe merret vesh, por avash avash, jo me të bo nder dhe më gjet qeder.
DARIO MYFTIU: Ça kom me fol s’po të kuptoj, ec o vlla takona folim diskutojm, ça mundsish ke me ndihmu, dhe ku jam për tu ndihmu un.
IGLI HAXHIAJ: Unë që të thash dhe për Braniolin s’ta thash kot, si çova njeri atij se ai rri dru në mall, dhe ti e di, dhe unë e di. Vlla kjo që po të them ka dhe kosto se s’jam vetëm unë në këtë mes dhe i kam dal unë për zot me të ndihmu se të njifnin çunat.
DARIO MYFTIU: Jo tamom se s’ësht që rrin me mu.
IGLI HAXHIAJ: Nuk jemi për lojra fjalësh kot, po, ok vlla, më fal mua se ndoshta të bezdisa vlla, unë e pashë si detyrim nga shokët e mi, më fal mua, që s’të takoj është vetëm mos digjem unë, vllai im se kam problem të flas me ty, nqs ti je i qet ma boj hallal se të shqetësova. Djegia ime vjen se ti do gabosh dhe vij të të ndihmoj dhe s’kam pse të rrezikoj.
DARIO MYFTIU: Nuk ka lidhje kjo tani, s’ke pse digjesh si do digjesh?
IGLI HAXHIAJ: Po ka lidhje se po bojm lojna fjalësh vlla, unë që po vij s’jam kalamo, erdha për arsye se mendova që jan muhabetet më të qarta, unë po fola ngelëm borxh tek të tjerët, se i dola unë për zot kësaj pune, digjem se ti je i alarmuar dhe gabon vlla. Këtë qëllim kisha me të ndihmu, ti je në rregull... po se s’je i qetë.
DARIO MYFTIU: Po të them... po deshe të takona të folim ok.
IGLI HAXHIAJ: Vlla kjo punë ka një kosto dhe po deshe ok po s’deshe ti e di, se vuna dhe shokët në siklet, dhe po dalin muhabete kot, që të të ndihmoj dhe ke për ti pa gjojnat vlla. Jemi 3 veta nga 5 mij vlla. Unë kam burrëri dhe të tregoj gjithçka por duhet ti me bashkpunu dhe mos lon me dyshu që nga e ke marr vesh. Por do e bëjmë rastësisht, dmth që ti e vërteton dhe mos biesh në sy nga e more vesh. Nqs mendon se bohet ok, po mendove se është gjobë më fal mua. Ti, Nusja, Nona jote, Asti, i keni telefonat në përgjim dhe bëj kujdes kur flet. Nqs do info të tjera bojnë lek, kalofsh sa më mirë vlla, të rujt Zoti, kjo ishte vetëm për shokët, dhuratë, notën, nuk është gjob, e ke gabim. Një informacion kudrejt njëpagese, po varja, kaq sa të thashë e ke dhuratë nga shokët, kalofsh mirë vlla.
Gjatë operacionit të italianëve u sekuestruar mbi 1.3 ton kokainë. Paratë që fitoheshin, trnsportoheshin kryesisht me autobusë të linjës Itali-Shqipëri. Nga verikimet, nga 24 të kërkuarit, 6 ndodheshin në Shqipëri, ndërsa janë arrestuar veç Igli Haxhiaj edhe Asti Llupi, Altin Shehaj dhe Erald Salla të cilët do të dalin para gjykatave të rretheve pasi janë arrestuar me qëllim ekstradimi. Nga ana tjetër, Denis Myftiu, që vijon të jetë në kërkim nga SPAK, është marrë me organizimin e trafikut të kokainës dhe heroinës nga Shqipëria në Itali.
Për këtë procedim penal, Prokuroria italiane ka shpallur në kërkim edhe Elvis Doçin, të njohur si Visi I Pojës për trafikun e 3.5 tonë kokaine nga Amerika e Jugut në drejtim të Italisë, që ka një tjetër masë nga SPAK për operacionin Ura dhe krahun e tij të djathtë Indrit Tafili dhe Orget Shqevin.
© SYRI.net