Janë zbardhur detaje të reja nga atentati ku mbeti i plagosur 50-vjeçari Thimjo Rubati në qytetin e Sarandës. Burime bëjnë me dije se është përjashtuar si pistë përfshirja e të birit në një incident të një dite para ngjarjes me një efektiv policie. Autorët u larguan deri në breg me motor, teksa dyshohet se kanë shfrytëzuar detin për të humbur gjurmët. I plagosuri rezulton person me precedentë të theksuar penalë dhe policia ende nuk ka një pistë zyrtare mbi shkaqet e ngjarjes.
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati, i njohur edhe si Sandër Rubati, i cili mbeti i plagosur rëndë mbrëmjen e së premtes në lagjen nr. 4 të Sarandës.
Në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar 9 gëzhoja pistolete të kalibrit 9 milimetra. Sipas hetimeve paraprake, ka dyshime se autorët janë larguar me një motor drejt zonës së plazheve në lagjen “Baba Rexhepi”, ndërsa dyshohet se më pas kanë përdorur edhe një mjet lundrues për t’u larguar. Gjatë gjithë natës, efektivët kanë kontrolluar zonën në kërkim të motorit të përdorur.
Grupi hetimor ka përjashtuar si motiv konfliktin e ndodhur një natë më parë, kur djali i Rubatit, Andrea, së bashku me dy persona të tjerë, Antonio Lefteri dhe Engjëll Dalanaj, dyshohet se dhunuan dhe kanosën me thikë oficerin e policisë Mihal Velço. Sipas hetuesve, kjo ngjarje mund të jetë përdorur për të devijuar hetimet. Aktualisht po verifikohen disa pista, mes tyre larja e hesapeve dhe konfliktet e pronësisë.
Thimjo Rubati është një emër i njohur për drejtësinë. Ai ka dalë së fundmi nga burgu në Greqi, ku vuante dënim për vrasje. Në Shqipëri është dënuar për kontrabandë automjetesh, ndërsa në vitin 2024 u procedua sërish për trafikimin e një automjeti me elementë identifikues të ndryshuar. Por Gjykata e Apelit ia konvertoi dënimin në vitin 2023 në 2 vjet shërbim prove, duke bërë që, pas ardhjes nga Greqia, Rubati të mos kryente asnjë ditë burg për dënimin shqiptar. Pas daljes nga burgu grek, në janar 2024, u procedua sërish në gjendje të lirë nga Policia e Sarandës, pasi u dyshua se, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, kishte trafikuar një automjet “Toyota” dhe i kishte ndryshuar elementët identifikues.
Emri i tij është përmendur edhe në një emision investigativ për një skemë të shmangies së tarifave doganore. Historia penale e 50-vjeçarit nis në vitin 2000 për trafikim klandestinësh, armëmbajtje pa leje dhe heqje të paligjshme të lirisë, teksa elementët e mësipërm e kanë vështirësuar punën e grupit hetimor për të fiksuar një pistë konkrete që do ta lidhte me ngjarjen e 17 korrikut.
Edhe djali i tij, Andrea Rubati, ka precedentë penalë. Ai është në kërkim prej 48 orësh për dhunimin dhe kanosjen e oficerit të policisë, ndërsa më herët është arrestuar duke drejtuar një automjet të vjedhur në Itali.
© SYRI.net