Gjykata e Durrësit ka caktuar masat e sigurisë për tre punonjëset e Postës Shqiptare në Durrës, të cilat akuzohen për shpërdorim detyre dhe vjedhje të parave të pensioneve.
Pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, gjykata ka vlerësuar të ligjshme masat e ndalimit dhe ka vendosur masën "Arrest me burg" për Elisabeta Matajn, ndërsa për Valbona Dunin dhe Paola Danajn ka caktuar masën "Arrest në shtëpi".
Sipas hetimeve paraprake, tre punonjëset dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën duke përvetësuar fonde të destinuara për pagesën e pensioneve. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Menjëherë pas zbulimit të rastit, Posta Shqiptare njoftoi se ka marrë masa administrative ndaj punonjësve të përfshirë dhe ka depozituar kallëzim penal pranë Prokurorisë, duke vënë në dispozicion të hetuesve të gjithë dokumentacionin përkatës.
Sipas të dhënave të deritanishme, dyshohet se dëmi i shkaktuar arrin në rreth 700 mijë euro. Megjithatë, hetimet po verifikojnë nëse vlera e përvetësuar mund të jetë edhe më e lartë, me dyshime se dëmi total mund të shkojë deri në 3 milionë euro.
© SYRI.net