Pranë redaksisë së Syri TV ka mbërritur një denoncim nga avokatja e Dhomës së Avokatisë Durrës, Ingrida Behri, e cila akuzon avokatin Emin Saraçi për kërcënime verbale ndaj saj dhe dhunë fizike ndaj klientit të saj, Nderim Tafçiu, ngjarje që ka ndodhur dy ditë më parë në ambientet e Gjykatës së Tiranës.
Sipas avokates Behri, incidenti ka ndodhur pas përfundimit të një seance gjyqësore që lidhej me një proces për zgjidhje martese, ku ajo përfaqësonte paditësin, ndërsa avokati Saraçi palën e paditur.
Behri pretendon se, pas seancës, kolegu i saj ka përdorur gjuhë kërcënuese ndaj saj dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj klientit të saj, brenda ambienteve të gjykatës.
Lidhur me këtë ngjarje, avokatja bën me dije se ka depozituar kallëzim në Komisariatin e Policisë Nr. 2 në Tiranë, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave dhe marrjen e masave ligjore ndaj autorit të pretenduar.
© SYRI.net