Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për ish-drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj, e dyshuar për veprën penale "Vjedhja duke shpërdoruar detyrën", kryer në bashkëpunim. Ndërkohë, për dy personat e tjerë nën hetim, Valbona Dunin dhe Paola Danajn, gjykata vendosi masën "arrest në shtëpi".
Gjatë seancës, Prokuroria ka paraqitur detaje nga hetimi, duke sjellë të dhëna mbi frekuentimin e ambienteve të lojërave të fatit nga Mataj dhe bashkëshorti i saj.
Sipas të dhënave të paraqitura nga organi i akuzës, Elisabeta Mataj rezulton me 335 hyrje në kazino, ndërsa është cilësuar si frekuentuese e rregullt e një prej ambienteve, "Plaza". Vetëm gjatë muajit maj, sipas Prokurorisë, ajo ka pasur 27 hyrje në këtë ambient.
Po sipas hetuesve, bashkëshorti i saj rezulton me 340 hyrje në kazino. Prokuroria ka referuar gjithashtu edhe për shuma të dyshuara të luajtura në dy kazino në Tiranë, të cilat janë pjesë e verifikimeve në kuadër të hetimit.
Përballë këtyre pretendimeve, Elisabeta Mataj nuk e ka mohuar frekuentimin e kazinove, por ka kundërshtuar çdo lidhje të tij me shkelje ligjore apo me detyrën e saj.
"Unë jam qytetare e lirë. Më shpjegoni se cila është kontrata e firmosur që nuk mund të shkoj në lokale, bare dhe kazino", mësohet të jetë shprehur Mataj para gjykatës.
LEXO EDHE: Dyshohet për abuzim deri 3 mln euro, jepet masa për 3 punonjëset e Postës Shqiptare në Durrës
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata vendosi:
Të pranojë pjesërisht kërkesën e Prokurorisë.
Të vlerësojë si të ligjshëm ndalimin e E.M., V.D. dhe P.D.
Të caktojë ndaj E.M. masën e sigurisë "arrest në burg".
Të caktojë ndaj V.D. dhe P.D. masën e sigurisë "arrest në shtëpi".
Të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të V.D. dhe P.D. nga dhomat e paraburgimit, nëse nuk mbahen për ndonjë vepër tjetër penale, si dhe ekzekutimin e masave të arrestit në banesat e tyre.
Të lejojë ankimimin e vendimit brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Vendimi u shpall në Durrës më 18 korrik 2026.
Bashkëshrti i Elisabeta Mataj:

© SYRI.net